Limaj merr pjesë në zbulimin e përmendores të Shën Terezës në Treviso të Italisë
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, ka marrë pjesë në zbulimin e përmendores të Shën Terezës në Treviso të Italisë, të organizuar nga Komuna Quinto di Treviso me komunitetin shqiptar në Treviso.
Limaj përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook”, ka shkruar se përurimi simbolik i përmendores së nënës tonë të shenjtë tregon edhe njëherë zemrën e madhe dhe shpirtin e madh të një kombi të vogël që ka nxjerrë një bijë kaq të madhe që i ka shërbyer gjithë njerëzimit.
“Shën Tereza u ka shërbyer me dashuri njerëzve në nevojë duke qenë gjithnjë afër tyre. Këtë përmendore e bën edhe më madhështore fakti që jemi në vitin e Skënderbeut, heroit tonë kombëtar, i cili i jep kuptim qenies sonë kombëtare. Është identiteti ynë kombëtar. Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës i falënderova iniciuesit e këtij projekti duke shpresuar që përmendore të Nënë Terezës të ketë në të gjitha kryeqytetet e fuqishme të Evropës, sepse ajo e ka merituar dhe e meriton dhe ne shqiptarët duhet të ndihemi krenarë që jemi pjesë e saj dhe ajo e ka nderuar e lartësuar kombin tonë”, ka shkruar Limaj.
“Mirënjohje dhe falënderim edhe për autoritetet italianë të këtij rajoni të cilat kanë bërë të mundur që komuniteti ynë shqiptar të jetë i organizuar dhe të ketë kushte për ta kultivuar traditën tonë”, ka shkruar tutje Limaj.
/Epoka e re/