Baraliu: UDB-ashët Zenel Celina dhe Vesel Krasniqi, shanin Shqipërinë dhe lavdëronin Jugosllavinë

20 gusht 2024 | 20:58

Besim Baraliu, ish i burgosuri politik, në një intervistë për “Debat Plus,” ka rrëfyer arrestimin e tij të parë nga UDB-ja në vitin 1978

Besim Baraliu, ish aktivist politik, për herë të parë ishte arrestuar në vitin 1978 ku ishte marrë në pyetje sipas tij nga dy punëtor të UDB-së të nacionalitetit shqiptar, Zenel Celina e Vesel Krasniqi.

Në një intervistë për “Debat Plus,” Baraliu rrëfeu se ishte arrestuar për herë të parë në vitin 1978 pas kthimit nga Shqipëria, ku kishte qëndruar për një kohë të shkurtër.

Në Shqipëri, atij i ishte ofruar mundësia për të qëndruar dhe për të studiuar nga shteti i atëhershëm, por ai kishte refuzuar pasi qëllimi i tij ishte të kontribuonte për Kosovën së bashku me miqtë e tij.

Pas kthimit në Kosovë, Baraliu u arrestua dhe u mor në pyetje nga dy punonjës të UDB-së, Zenel Celina dhe Vesel Krasniqi, të cilët, sipas tij, përdornin gjuhë fyese ndaj Shqipërisë, ndërsa lavdëronin Jugosllavinë.

“Për herë të parë jam burgosur në vitin 1978. Kam kalu në mënyrë klandestine kam shkuar në Shqipëri. Aty kam pasur ofertë të qëndroj e studioj atje. Kam pasur nga qeveria shqiptare në atë kohë. S’kam pranu sepse ne ishim organizuar me disa të ri, më dukej sikur i iksha luftës, me kërkesën time më kanë kthy ata dhe jam burgos këtu. Ose me qëndru ose me u kthy në këtë mënyrë. Pastaj më dënuan pak, vetëm 15 ditë”, tha ai.

Pjesëtarët e UDB-së Zenel Celina e Vesel Krasniqi, e kishin marrë në pyetje dhe sipas Baraliut kishin përdorur gjuhë fyese ndaj Shqipërisë.

“Më ka marrë në pyetje nga Zenel Celina, Vesel Krasniqi. Të dy ishin punëtor të UDB-së, kishte edhe të tjerë por këta ishin kryesor. Më pyesnin pse kisha kalu në Shqipëri, çfarë qëllimi kisha. Folshin keq për Shqipërinë, folshin gjithçka, çka nuk thuhej… thonin se ata ishin kërkusha, që nuk dinë me ba shtet, Jugosllavia është e mirë këtu i kemi gjitha gjërat. Ata kanë përdor gjuhë të poshtër degraduese”, tha ai.

Pas lirimit, Baraliu u detyrua të qëndronte në arrati për një periudhë në Prishtinë, me planin për të ikur sërish në Shqipëri.

“Pastaj u lirova pas 15 ditëve, pastaj ranë në burg, Xhabir Morina, Imer Grainca, Ibrahim Shala e të tjerë. Pas 15 ditëve sa kisha mbërri në shtëpi prapë më kërkonin.

Kam qëndru në arrati një kohë në Prishtinë. Pas një kohe mendova me shku prapë në Shqipëri. Ishte e pamundur, të gjithë shokët më ishin arrestu. Vendosëm një ditë të shkojë në fshatin tim ta shoh nënën dhe të vazhdoj për Shqipëri”, tha ai.

Megjithatë, ai u arrestua për herë të dytë në shtëpinë e nënës së tij, pasi u detyrua të qëndronte aty pas lutjes së saj që të mos largohej.

“E kemi bë një rrugë me vëllain e madh, më ka përcjell natën…  nëna pastaj më tha të rri sepse nuk e di a shihemi a po jo… realisht u detyrova të qëndroj te ajo, e dëgjova nënën. Atë natë na rrethekun dhe realisht më burgosën prapë”, tha ai.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në intervistën e tij për "Debat Plus," Besim Baraliu rrëfeu…