Fillon digjitalizimi i procesit zgjedhor në Kosovë, KQZ-ja pranon softuer nga OSBE-ja

22 gusht 2024 | 12:41

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka pranuar nga misioni i OSBE-së në Kosovë, softuerin i cili do t’i digjitalizojë disa nga operacionet zgjedhore.

Ky softuer, do t’ua mundësojë votuesve në çdo kohë, jo vetëm gjatë zgjedhjeve, ndërrimin e Qendrës së Votimit brenda komunës. Po ashtu, përmes këtij softueri, votuesit me nevoja të veçanta do të mund të regjistrohen nga shtëpia dhe në ditën e zgjedhjeve, KQZ-ja do ta dërgojë ekipin mobil për t’ua mundësuar pjesëmarrjen në zgjedhje. Ndërsa për votuesit jashtë vendit, platforma elektronike do ta mundësojë aplikimin për regjistrimin e tyre.

Me këtë rast, kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, ka thënë se pranimi i këtij softueri vë në pah përkushtimin për avancimin e procesit zgjedhor. Ai ka theksuar se Kosova ka një traditë që çmohet edhe nga misionet ndërkombëtare të vëzhgimit të zgjedhjeve dhe shprehur besimin se KQZ-ja do të arrijë të kryejë detyrat e veta sërish.

Sipas Radoniqit, Ligji i ri për zgjedhjet e përgjithshme ka bërë shumë ndryshime në procesin zgjedhor brenda dhe jashtë vendit dhe zbatimi i tij do të jetë sfidues.

“Me Ligjin e ri për zgjedhjet e përgjithshme, procesi zgjedhor si brenda, por edhe jashtë vendit ka pësuar ndryshime thelbësore dhe sigurisht se zbatimi i tij do të jetë sfidues në zgjedhjet e datës 9 shkurt 2025, por shpreh gatishmërinë e KQZ-së për të përmbushur detyrat që dalin para nesh. Besoj se përvoja ndër vite e KQZ-së dhe suksesi në të kaluarën, do të jenë një motiv i lartë për të gjithë ne që me sukses të realizojmë misionin tonë për organizim të zgjedhjeve me standarde të larta ndërkombëtare, duke siguruar shprehjen e vullnetit të lirë të qytetarëve me të drejtë vote të Republikës së Kosovës. Organizimi i zgjedhjeve është një ndër proceset më të mëdha dhe gjithëpërfshirës për një shtet. Kosova tashmë ka një traditë qe çmohet edhe nga misionet ndërkombëtare të vëzhgimit të zgjedhjeve.  Kjo nuk është vetëm një tregues për punën e KQZ-së por një imazh i shtetit tonë të ri në arenën ndërkombëtare. Kosova duhet të vazhdojë t’i tregojë botës shembullin e mirë në organizimin e zgjedhjeve”, ka thënë Radoniqi, duke shtuar se KQZ-ja është duke bërë hapa të rëndësishëm në digjitalizimin e operacioneve zgjedhore. “Softueri i KQZ-së i cili është zhvilluar me mbështetjen e OSBE-së në Kosovë, ka për qëllim që ta avancojë shërbimet e institucionit për votuesit, subjektet politike dhe vëzhguesit e zgjedhjeve. Shpreh mirënjohje për OSBE-në dhe ambasadorin Davenport për ndihmën që pa dyshim do ta avancojë procesin zgjedhor në Kosovë”, ka thënë ai.

Ndërsa shefi i misionit të OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport, i cili ka bërë dorëzimin e softuerit, ka thënë se zgjedhjet e lira janë themeli i demokracisë. Ai ka thënë se ky softuer do të jetë një arsye më shumë që votuesit të besojnë në procesin demokratik.

Ai ka thënë se ky softuer është një hap përpara për efikasitetin, transparencën dhe integritetin e procesit zgjedhor. “Misioni i OSBE-së vazhdon ta mbështesë KQZ-në, siç ka bërë për shumë vjet, veçanërisht tani kur KQZ-ja po ecë përpara me digjitalizimin e procesit. Jemi këtu që ta dorëzojmë softuerin për Qendrën e numërimit të votave dhe rezultateve, softuer ky që është zhvilluar me ndihmën e OSBE-së në Kosovë. Dorëzimi i softuerit sot prezanton kulminacionin e bashkëpunimit tonë. Kemi punuar pa lodhje për këtë softuer vitin e kaluar, që ky softuer t’i përmbushë kërkesat komplekse. Ky softuer është një hap përpara për efikasitetin, transparencën dhe integritetin e procesit zgjedhor. Koha është esenciale sepse softueri vjen pikërisht para kohës së zgjedhjeve”, ka thënë  Davenport.

Gjatë prezantimit të softuerit, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka treguar se me anë të këtij softueri do të bëhet e mundur që “në çdo kohë, jo vetëm gjatë zgjedhjeve, por edhe në periudha jo-zgjedhore, do të bëhet i mundur ndërrimi i Qendrës së Votimit brenda komunës dhe caktimi i saj sa më afër vendbanimit”.

Gjithashtu, Elezi ka treguar se përmes digjitalizimit po lehtësohet edhe procesi i regjistrimit të votuesve jashtë Kosovës apo edhe regjistrimi i vëzhguesve.

“KQZ-ja do të vazhdojë të prezantojë gjatë ditës së zgjedhjeve të dhënat për pjesëmarrjen në votime, duke shfaqur edhe të dhëna për pjesëmarrjes sipas grup-moshave dhe sipas gjinisë, ndërsa në mbrëmjen e së dielës së zgjedhjeve do të fillojë publikimin e rezultateve preliminare për subjektet politike. Siç është e ditur, votat për kandidatët për deputetë do të fillojnë të numërohen nga e hëna pas ditës së votimit në qendrat komunale të numërimit, të cilat kryesisht do të caktohen në palestra sportive dhe rezultati i kandidatëve për deputetë do të publikohet në mënyrë progresive”, ka thënë Elezi. /EO

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Prishtina Park, hap dyert nesër, e premte në ora 18:00.…