Policia sekuestron kokainë dhe heroinë, vlera e tyre mbi 153 mijë euro

22 gusht 2024 | 12:49

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar dy persona të dyshuar si dhe ka sekuestruar substanca narkotike të llojit heroinë dhe kokainë.

Në rastin e parë, policia ka identifikuar një shtetas të Maqedonisë së Veriut, i cili dyshohej se kishte në posedim të gatshëm për shitje një sasi të substancës së dyshuar narkotike të llojit heroinë.

“Të dyshuarit të lartcekur me veturë substancën e dyshuar narkotike ia kanë sjellë dy persona tjerë, të cilët janë larguar me veturë nga vendi i ngjarjes”, ka njoftuar policia.

Sipas këtij njoftimi, pas ndërhyrjes së Policisë së Kosovës te personi i dyshuar janë gjetur 6 paketime me substancë të dyshuar narkotike të llojit heroinë me peshë të përgjithshme prej 6.137.6 gramë (6 kilogramë e 137 gramë), ku vlera e substancës së dyshuar narkotike, e cila është konfiskuar vlerësohet të jetë rreth 150 mijë euro.

Lidhur me rastin në cilësi të provave materiale, policia ka sekuestruar si prova materiale, dy telefon celularë, një veturë dhe 4 305 denarë të Maqedonisë së Veriut.

“Personi i dyshuar është shoqëruar për intervistim në prezencë të avokatit mbrojtës dhe me vendim të prokurorit të shtetit i dyshuari ndalohet për 48 orë, kurse dy personat e tjerë janë në kërkim policor”, ka njoftuar policia.

Ndërkohë, në rastin e dytë, Policia e Kosovës në Ferizaj ka ndaluar për kontroll veturën me targa të huaja, ku gjatë kontrollit të veturës është gjetur një pako e cigareve, në brendi të së cilës ka qenë një qese najloni me substancë të dyshuar si e llojit kokainë.

“Në cilësi të provave materiale janë sekuestruar: një qese najloni me substancë të dyshuar narkotike të llojit kokainë, me peshë të përgjithshme 38.62 gramë, vlera e substancës së dyshuar narkotike vlerësohet të jetë rreth 3 500 euro, para në monedhë letre 50 euro dhe 1 500 kruna suedeze. Lidhur me rastin, për të gjitha veprimet është njoftuar prokurori kompetent, me urdhër të të cilit i dyshuari pas intervistimit ndalohet për 48 orë”, ka njoftuar policia.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka pranuar nga misioni i…