Vizita e Shefit të CIA’s në Kosovë e takimi me Osmanin, ende asnjë njoftim nga Presidenca

22 gusht 2024 | 20:39

Shefi i Agjencisë Qendrore amerikane të Inteligjencës (CIA), William Burns, ka vizituar sot Kosovën. Burns ka pasur një takim të shkurtër me Presidenten Vjosa Osmani, e më pas sipas raportimeve është ndalur edhe në Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë. Deri tash, nuk ka asnjë njoftim mbi arsyen e vizitës apo për çka diskutoi me Osmanin.

Nuk kishte ndonjë paralajmërim e as konfirmim zyrtar se do ta vizitonte Kosovën, mirëpo Shefi i CIA’s, William Burns, është parë sot në Kosovë.

Vizita e tij nuk u konfirmua zyrtarisht, mirëpo mediat kapën pamjet e autokolonës që e përcillte kur iu drejtua ndërtesës së Presidencës e më pas u pa edhe kur zbriti nga vetura e hyri në objekt, ku u takua me Presidenten Vjosa Osmani.

Nga Presidenca ende nuk kanë dalë me një komunikatë rreth këtij takimi.

Radio Evropa e Lirë raportoi se në këtë takim mori pjesë edhe Shefi i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Petrit Ajeti. Pranë ndërtesës së AKI’së në Fushë Kosovë janë parë forca të shtuara të Policisë së Kosovës, e që sipas raportimeve, Burns u ndalë edhe aty për vizitë.

Vizita e tij në Kosovë vjen në kohën kur Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se shteti i tij është sfiduar në disa aspekte nga Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti.

SHBA-ja dhe vendet e tjera të BE-së e kanë kritikuar disa vendime dhe veprime të ndërmarra së fundi nga Qeveria e Kurtit, që janë konsideruar si “të njëanshme” dhe “të pakoordinuara”.

Paraprakisht Burns ka vizituar Sarajevën dhe është raportuar se ka qenë për vizitë edhe në Beograd, ndonëse kjo vizitë nuk është konfirmuar ende.

Ndërkohë, në Bosnje e Hercegovinë më 20 gusht, Burns u takua me homologët e tij nga sektori i inteligjencës, me anëtarët e Presidencës së këtij shteti dhe me ministrin e Jashtëm të Bosnjës.

Një zyrtar i Qeverisë amerikane, ka deklaruar për REL se arsyeja e vizitës së shefit të CIA-s në Sarajevë, ndër të tjera ishte edhe për shkak të retorikës dhe veprimeve shqetësuese separatiste të presidentit prorus të entitetit të Republikës Sërpska, Millorad Dodik dhe Qeverisë së këtij entiteti.

Burns është emëruar në pozitën e drejtorit të Agjencisë Qendrore të Inteligjencës së SHBA-së nga Presidenti Joe Biden në janar të vitit 2021.

Burns është një figurë qendrore në administratën e presidentit amerikan Joe Biden, pasi është edhe anëtar i kabinetit presidencial të Shtëpisë së Bardhë. Më herët ai ka qenë ambasador në Rusi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një incident me fatalitet ku ka humb jetën një person…