Dëshmitarët rrëfejnë momentet pas aksidentit tragjik që i mori jetën kadetit policor

22 gusht 2024 | 22:21

Në seancën e së enjtes në Gjykatën Themelore në Pejë, dëshmuan pesë dëshmitarë, tre prej tyre okularë të ngjarjes pas aksidentit, ku sqaruan se si e gjetën veturën e aksidentuar dhe trupin e viktimës F.Sh. pa shenja jete.

Këto deklarime i dhanë dëshmitarët – Nezir Bullaku, Festim Beqiri dhe Gëzim Miftari – që panë dhe ndihmuan në nxjerrjen e trupit të viktimës , raporton “Betimi për Drejtësi”.

Më 3 prill, të akuzuarit Arton dhe Nezir Duraku, e kanë pranuar fajësinë se nga aksident trafiku shkaktuan vdekjen e të riut F.Sh., dhe të njëjtit nuk i ofruan ndihmë.

Dëshmitari Nezir Bullaku tha se ditën kritike kishte qenë në Jashanicë, duke shkuar në punë, së bashku me Festim Beqirin, kur personi me të i tha se kishte vërejtur një veturë në skaj të rrugës që kishte pësuar aksident.

Me të parë veturën e aksidentuar, ai tha se kishin ndaluar tek pompa e benzinës dhe ishin afruar pranë veturës dhe shoferit.

“Në ato momente jam afruar ngat personit Flordiani, ai ka qenë në anën e shoferit. Jam dal në anën e djathtë të veturës dhe e kam thyer xhamin e pasagjerit, e kam prek se e ja sheja të jetës. Nuk pat shenja të jetës ,” tha dëshmitari Bullaku.

Ai tutje tha se dera nga ana e shoferit ishte shumë e bllokuar dhe për këtë arsye kishte dalë nga ana tjetër. Veturën, ai tha se e kishte gjetur shumë të dëmtuar përpara dhe te dera e shoferit.

Më pas ai shtoi se viktima kishte pasur gjak në fytyrë dhe hundë, ndërsa dorën e majtë e kishte pasur të bllokuar.

Përgjatë pyetjeve të prokurorit Ersan Qavolli, dëshmitari tha se nuk kishte parë asnjë veturë dhe asnjë kamion të ndalur para arritjes së tij në vendngjarje.

Tutje, dëshmitari Festim Beqiri, në ditën kritike tha se ka qenë duke drejtuar veturën me dëshmitarin paraprak Nezirin dhe nënën e tij. Duke u kyçur në rrugën kryesore, ai tha se kishte parë veturën e të ndjerit nga larg në krahun e majtë.

Më pas ai tha se ishte larguar për ta dërguar nënën e tij në punë. Rrugës kishte parë ambulancën duke ardhur, dhe më pas tha se nuk dinte asgjë më shumë.

Tutje, dëshmitari Shpejtim Kelmendi, tha se të akuzuarit kishin qenë punëtorët e tij, të cilët kanë vozitur kamionët e tij për bartje të punimeve.

Sipas tij, i akuzuari Arton kishte pasur vetëm lejen e vozitjes B, dhe jo lejen përkatëse për kamionë C. Ai tha se kishte qenë ndihmës i të akuzuarit, babait të tij, Nezirit.

Dëshmitari Kelmendi tha se të shtunën mbrëma, i akuzuari Nezir kishte marrë kamionin e tij për të punuar ditën e diel dhe për t’ia kthyer të hënën.

“Kamioni nuk ka pasur regjistrim, nuk ka pasur kontroll teknik. Atij i kam treguar se nuk ka regjistrim kamioni, ai tha: ‘Unë marr përgjegjësinë që nuk ka regjistrim’,” tha dëshmitari Kelmendi.

Sipas dëshmitarit, të hënën kamionin bashkë me rimorkion ia kishte kthyer Neziri, dhe i njëjti i kishte drejtuar fjalët: “Pse ma prune rimorkion e huaj këtu.” Ai i kishte thënë se kishte shkuar rreth e rrotull nëpër Trestenik, duke mos i treguar arsyen pse.

Më pas ai tha se nuk e kishte kontrolluar kamionin kur e kishte marrë, por së bashku me Artonin, e kishin marrë kamionin bashkë me rimorkion dhe ia kishin dorëzuar Labinot Kelmendit rimorkion e tij dhe janë kthyer me kamion.

Ai më pas tha se kishte pirë kafe me të dy të akuzuarit dhe të njëjtit nuk kishin diskutuar asgjë lidhur me aksidentin. Më pas, përmes rrjetit Facebook, ai tha se e kishte parë që kishte ndodhur një aksident, dhe e kishin parë së bashku, duke ndjerë dhimbje për viktimën e re.

“Të martën më thirri Labinoti dhe më tha: ‘Koka bo e zezë dita, Artoni me Nezirin paskan bo aksident për atë rastin që ka ndodhur atje.’ Ishte fjala për aksidentin e Floridianit. Unë e kam parë në kamerë kur kanë ardhur Policia dhe i kanë marrë Nezirin dhe Artonin. Unë nuk kam qenë aty,” tha dëshmitari Kelmendi.

Në fund, tha se betohet në Zot që nuk e ka ditur derisa Policia ka ardhur dhe i ka marrë të dy.

Dëshmitari tjetër, Gëzim Miftari, tha se ditën kritike kishte qenë duke shkuar në punë nga shtëpia me vëllain e tij dhe 3-4 punëtorë.

Rrugës ai tha se kishte parë dëshmitarin e parë dhe Policinë që kishin qenë në vendin ku kishte ndodhur aksidenti, dhe se ishin ndalur për të ndihmuar.

Sipas tij, gjendja e veturës kishte qenë e shtypur, xhamat e parë tek shoferi ishin të gjitha të dëmtuara dhe se personi që ka qenë në veturë nuk kishte qenë gjallë.

Ai nuk kishte parë aty ndonjë veturë apo kamion tjetër.

Pas përfundimit të deklarimit të dëshmitarit të pestë me radhë, seanca u ndërprit për të vazhduar me 4 tetor të këtij viti në ora 09:30.

Në gjykimin e parë dy të pandehurit ishin dënuar me 15 vjet burgim (së bashku) nga Gjykata Themelore e Pejës.

Vendimin e shkallë së parë e kishte e kishte vërtetuar edhe Gjykata e Apelit, por Gjykata Supreme, kishte miratuar kërkesat për mbrojtje të ligjshmërisë të të dënuarve Duraku ashtu që aktgjykimi i Themelores, dhe ai i Apelit ishin anuluar dhe çështja ishte kthyer në rigjykim të shkallës së parë.

Ndryshe, në seancën e 3 prillit 2023, dy të akuzuarit Arton dhe Nezir Duraku, e pranuan fajësinë për veprat penale që iu viheshin në barrë.

Sipas aktakuzës së ngritur më 2 mars 2023, nga Prokuroria Themelore e Pejës, thuhet se i pandehuri Arton Duraku, më 21 nëntor 2022, në fshatin Jashanicë të Komunës së Klinës, duke shkel ligjin mbi trafikun publik i shkakton vdekjen, tani të ndjerit F.Sh.

Sipas aktakuzës, derisa i pandehuri, pa patentë shofer po drejtonte kamionin e markës “Mercedes Atego” i cili ishte i pa regjistruar dhe jo i rregullt teknikisht, me të arritur fshatin e lartcekur, drejtimi Skenderaj – Klinë, nuk e përshtat shpejtësinë e lëvizjes në raport me kushtet e rrugës dhe e tejkalon atë nga 50km/h sa ishte e lejuar në mbi 90km/h dhe kalon në të majtë në shiritin e kundër qarkullues, ku po qarkullonte me automjetin e tij të markës “Opel” i ndjeri F.Sh., ku me pjesën e parë të anës së majtë të rimorkios e godet automjetin “Opel” në pjesën e parë ballore të anës së majtë, pikërisht në pjesën ku ndodhej viktima, i cili nga lëndimet e pësuara si rezultat i aksidentit, ndërron jetë.

Sipas akuzës, me këtë thuhet se i pandehuri Arton Duraku ka kryer vepër penale “Rrezikimi i trafikut publik” nga neni 370 par. 5 lidhur me par. 1 te KPRK-së.

Ndërkaq, tutje në aktakuzë thuhet se, në vendin dhe kohën e lartcekur, i pandehuri Arton, si ngasës i kamionit “Mercedes Atego”, nuk i ofron ndihmë personit tjetër i cili është lënduar në aksidentin e trafikut të shkaktuar me kamionin e të pandehurit, nga ku edhe rezulton me vdekjen e viktimës F.Sh, ku pas aksidentit të përshkruar, ai e ndalon kamionin dhe së bashku me prindin e tij të pandehurin Nezir Duraku, dalin nga kamioni afrohen afër viktimës por nuk i ofrojnë ndihmë dhe largohen nga vendi i ngjarjes, gjersa viktima ndërron jetë.

Dhe me këtë thuhet se i pandehuri ka Arton Duraku ka kryer edhe vepër penale “Mosdhënia e ndihmës personit të lënduar në fatkeqësinë e trafikut publik” nga neni 374 par. 3 të KPRK-së.

Ndërsa, të pandehurin Nezir Duraku, aktakuza e ngarkonte se në ngjarjen e përshkruar si më lart nuk i ofron ndihmë personit tjetër, jeta e të cilit është ndodhur në rrezik të drejtpërdrejt edhe pse këtë ka mundur ta bëjë pa rrezik të madhë për vete apo tjetrin.

Tutje, thuhet se pasi i pandehuri Arton Duraku, shkakton aksidentin e trafikut me kamion ku i pandehuri Nezir ishte pasagjer në të, dalin nga kamioni, afrohen afër viktime, por nuk i ofrojnë ndihme dhe largohen nga vendi i ngjarjes, gjersa viktima ndërron jetë.

Me këtë rast thuhet se i pandehuri Nezir Duraku ka kryer vepër penale “Mosdhënia e ndihmës” nga neni 188 par.4 i KPRK-së./BetimpërDrejtësi

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar ka njoftuar për fluksin e…