Ministri Gashi: Do t’i ndihmojmë të rinjtë të përgatiten për tregun e punës

30 shtator 2018 | 17:41

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, mori pjesë në shënimin e Ditës së Rinisë të organizuar nga “World Vision”.

Qëllimi i këtij organizimi ishte diskutimi me mbi 200 të rinj nga qytetet e ndryshme të Kosovës.

Me këtë rast, të rinjtë kishin mundësinë të diskutojnë mbi punësimin, sipërmarrjen dhe për problematikat që ata i shohin në komunitetet ku jetojnë.

Po ashtu, të rinjtë gjatë këtij aktiviteti shpalosën idetë, dëshirat dhe aftësitë që kanë fituar për të festuar arritjet dhe sfidat në të cilat kanë hasur.

Gjatë bashkëbisedimit me të rinjtë, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka thënë se MKRS-ja është e fokusuar tek të rinjtë që t’i specializojë dhe t’i ndihmojë në çështjen e punësimit. “Ne do të mbështesim çdo projekt i cili është në dobi për të rinjtë dhe do të përkrahim çdo aktivitet që organizohet për të rinjtë”, ka thënë ai.

Ministri Gashi ka pohuar se si MKRS drejtpërdrejt nuk e mbulojmë çështjen e punësimit, por duke pasur parasysh se të rinjtë e Kosovës i takojnë moshës së re dhe rinisë, në programin e kësaj ministri kanë paraparë një objektivë të veçantë, që ka të bëjë me aftësimin dhe përgatitje për tregun e punës.

“Javën e kaluar kemi certifikuar rreth 250 të rinj që kanë marrë pjesë në këtë projekt”, ka deklaruar ministri Gashi.

Po ashtu, ai ka thënë se viti 2019 do të jetë viti i të rinjve. “Kështu e kemi paraparë në strategjinë e re për rini, për herë të parë ne do të kemi fondin rinor që do të jetë 1 milion euro, i pari i këtij lloji në regjion që ka të bëjë me mbështetjen e të rinjve për ndërmarrësi dhe punësim”, ka thënë ministri Gashi.

Sipas tij, strategjinë për rini do ta ndryshojnë. “Në dhjetë vitet e fundit gjithçka ka ndryshuar, dhe se sot teknologjia është në kulm të zhvillimit, rrjetet sociale kanë efekt të madh në shoqërinë tonë, dhe kjo na detyron që ta ndryshojmë strukturën e departamentit të rinisë në mënyrë që t’iu përshtatemi rrethanave dhe kërkesave te të rinjve”, është shprehur ministri Gashi.

Ndërsa, drejtoresha e “World Vision” për Ballkanin Perëndimor, Eljona Boqe-Elmazi, ka theksuar se “World Vision” është gjithmonë aty ku është nevoja.

“Ne jemi organizatë që në zemrën tonë kemi fëmijët, që të arrihet mirëqenia e tyre duhet të funksionoj mirë çdo pjesë tjetër shoqërisë nuk mund të harrosh, familjen, institucionet kështu që ne do zgjerojmë programet tona sepse ka nevojë të punojmë me të rinjtë në Shqipëri, Kosovë, në Bonje dhe vende të tjera”, ka deklaruar Boqe-Elmazi.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Skuadra e Gjilanit e ka fituar debrin ndaj skuadrës së…