Jasharaj, Sveçlës: Mos i vizito shkollat se do të kthehesh kokulur

26 gusht 2024 | 16:08

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK), Rrahman Jasharaj, ka thënë se qeveria Kurti nuk do ta ndalë qasjen për të heshtur zërat e punëtorëve dhe sindikatave.

Në një shkrim drejtuar mediave, Jasharaj ka shkruar se ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka vizituar minatorët e “Trepçës” me qëllim që t’i frikësojë ata dhe t’ua mbyll gojën që mos të kërkojnë më ngritje të pagave.

Sipas tij, Sveçla dhe ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, mund të vizitojnë edhe shkollat më 2 shtator, me qëllimin e njëjtë.

“Pritne tani kur Sveçla e Nagavci të shkojnë në shkolla më 2 shtator qeveria Kurti me qasjen kundër dialogut dhe me luftën kundër zërave kritik të sindikatave mund të vazhdojë betejat, sikur ajo e ministrit Sveçla për t’u takuar me punëtorë e për t’u munduar t’i frikësojë ata siç ndodhi në takimin me minatorët, që janë plot halle e varfëri. Kjo qasje për të heshtur zërat e punëtorëve e për të shuar e zhdukur sindikatat nuk do të ndalet. Vizita e ministrit të Punëve të Brendshme të minatorët e fjalori e zëri i tij i ngritur është ajo që nuk ka ndodhur e nuk duhej të ndodhte në shtete demokratike. Çka kërkoi te minatorët ky Sveçla? Nuk u solli lajme të mira, por shkoi me qëllim që t’ua fus frikën në palcë e t’ua mbyll gojën që të mos dalin kurrë më e të mos kërkojnë paga, por të vdesin urie nëse duhet”, ka shkruar Jasharaj.

Më tutje, Jasharaj shkruar se Sveçla dhe Nagavci mund t’i vizitojnë shkollat, por sipas tij, nuk do të arrijnë që t’i frikësojnë.

“Ky Sveçla, i trimëruar nga do poza në Ujman e te ura, pasi ishte i mbrojtur nga djelmoshat e shkëlqyer e atdhetar si pjesëtarë të policisë sonë nuk është e habitshme nëse më 2 shtator e merr me veti Nagavcin e dalin nëpër shkolla e duke u takuar me mësimdhënës do të trimërohen nga pritja e tyre dhe do të mundohen t’i frikësojnë e të kërkojnë nga ata se kush është ai që po guxon të kritikojë qeverinë Kurti, kush është ai që guxon të kërkojë realizimin e të drejtave e kërkesave legjitime dhe se kush është ai që po guxon të kritikojë MAShTI-n dhe qeverinë për mosngritjen e pagave, për ndryshimet në dëm të punëtorëve të arsimit në Ligjin për skemat pensionale dhe për mohimet që u bëhen në të drejtat e fituara. Sfeçla e Nagavci mund të vizitojnë shkollat, sikur bëri ky Sfeçla me një ministre tjetër të minatorët, por le të mendojnë mirë para kësaj sepse na kishin ‘vizituar’ në vitet 90-ta alamet hyqymeti duke treguar armë, pendreka e muskuj, por nuk na kishin frikësuar. Ne vazhuam ta mbrojmë arsimin shqip në përballje me gjithë ato kërcënime e dhunë. Ministër Sveçla, ashtu si i vizitove minatorët me fjalim të zëshëm e me tendencë për të mbjell frikë, mos u nis nëpër shkolla se do të kthehesh i turpëruar e me kokën ulur. Ministër Sveçla, punëtorët e arsimit që nga çerdhet e deri në universitete janë bashkë e në SBAShK”, ka shkruar Jasharaj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sipas spanjolles “Sport”, dëshira e Neymarit për t’u rikthyer te…