Dështon kandidatura e Veton Surroit për sekretar të përgjithshëm në RCC – Kosova nuk merr asnjë votë, fiton kandidati i Bosnjës

28 gusht 2024 | 14:03

Në mars të vitit 2024, Maqedonia e Veriut, si kryesuese e Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore (SEECP), kishte shpallur garën për pozicionin e sekretarit të ri të përgjithshëm të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC) për periudhën 2025-2027.

Ky pozicion, që ka një mandat prej tre vitesh me mundësi për rinovim, është i rëndësishëm për zhvillimin e bashkëpunimit dhe stabilitetit në rajonin e Ballkanit.

Me përfundimin e mandatit të Majlinda Bregut në dhjetor 2024, ka filluar procesi për zgjedhjen e pasardhësit të saj.

Pesë vende paraqitën kandidatët e tyre për këtë pozicion të rëndësishëm: Maqedonia e Veriut, Sllovenia, Mali i Zi, Kosova dhe Bosnje-Hercegovina.

Kosova, e përfaqësuar nga Veton Surroi është angazhuar në këtë garë diplomatike me shpresën për të forcuar pozitën e saj rajonale dhe për të përfaqësuar interesat e vendit. Megjithatë, realiteti i votimeve ka treguar sfidat  me të cilat ballafaqohej Kosova në këtë proces.

Në raundet e votimit indikativ, kandidati nga Bosnje-Hercegovina, Amer Kapetanoviq, ka udhëhequr me mbështetje nga shumica e 13 vendeve anëtare të Evropës Juglindore, i ndjekur nga kandidatët e Malit të Zi dhe Sllovenisë.

Veton Surroi, kandidati i Kosovës, ka marrë vetëm votën e Kosovës, duke shfaqur qartë izolimin diplomatik që Kosova vazhdon të përjetojë në rajon.

Në përpjekje për të arritur një konsensus, vendet kanë filluar të tërheqin kandidatët e tyre, për t’i dhënë mundësinë Kapetanoviq të fitonte me shumicë votash. Në fund, edhe Kosova është tërhequr, duke ofruar mbështetjen e saj për kandidatin e Bosnje-Hercegovinës. Në samitin përmbyllës të SEECP, i mbajtur në qershor të vitit 2024 në Shkup, Bosnje-Hercegovina, ka konfirmuar kandidaturën e Kapetanoviq si sekretar i përgjithshëm i ardhshëm i RCC.

Një nga sfidat më të mëdha të Kosovës në këtë proces lidhet me marrëdhëniet e saj komplekse me Bosnje-Hercegovinën. Marrëveshjet e arritura në Samitin e Berlinit të vitit 2022, të cilat përfshinin lëvizjen e lirë me karta identiteti në gjithë rajonin janë mirëpritur si një hap drejt integrimit të mëtejshëm të Ballkanit. Megjithatë, marrëveshja për heqjen e vizave mes Kosovës dhe Bosnje-Hercegovinës mbetet e papërmbushur, kryesisht për shkak të retorikës së acaruar në mes të Albin Kurtit dhe Milorad Dodikut.

Pavarësisht përpjekjeve të Shqipërisë, të udhëhequra nga Majlinda Bregu, për të inicuar dhe negociuar këto marrëveshje, tensionet politike penguan zbatimin e tyre.

Në këtë kontekst, izolimi diplomatik i Kosovës bëhet edhe më i dukshëm. Përfaqësues të qeverisë së Kosovës nuk kanë qenë të pranishëm as në konferencat rajonale që organizohen në Prishtinë, edhe kur këto aktivitete janë financuar partnerët e Kosovës.

Ky dështim në garën për sekretarin e përgjithshëm të RCC nuk është thjesht një humbje për Veton Surroin, por një reflektim i sfidave më të mëdha me të cilat përballet Kosova në skenën rajonale. /Albanianpost

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Romelu Lukaku do të ribashkohet me Antonio Conten te Napoli.…