Zyra e Kryeministrit i harxhon mbi 37 mijë euro për blerjen e kompjuterëve dhe laptopëve

28 gusht 2024 | 20:51

Zyra e Kryeministrit ka nënshkruar kontratë në vlerë mbi 37 mijë euro për furnizim me dhjetëra kompjuterë e laptopë.

Në dosjen e tenderit sqarohet se përmes kësaj kontrate parashihet furnizimi me 20 kompjuterë e 24 laptopa. Vlera e saktë e kontratës është 37 mijë e 681 euro e 20 centë, shkruan Reporteri.net.

Kohëzgjatja e kontratës është dy muaj dhe i është dhënë grupit të kompanive “EGS; Pattern SH.P.K”.

“Para nënshkrimit të kontratës duhet të dorëzohet sigurimi i ekzekutimit të kontratës (10% e vlerës së ofertës) me vlefshmëri 3 M”, theksohet në dosje.

Nënshkrimi i kontratës është planifikuar të bëhet nesër.

“Çdo palë e interesuar mund të bëjë ankesë pranë Autoritetit Kontraktues në bazë të nenit 108/A te ligjit Nr. 04/L-042 për Prokurimin Publik të Republikës se Kosovës, i ndryshuar dhe plotësuar me ligjin Nr. 04/L-237, ligjin Nr. 05/L-068 dhe ligjin Nr. 05/L-092 ne adresën e specifikuar ne Nenin I te këtij Njoftimi për dhënie te kontratës”, thuhet në dosje.

Vlera e parashikuar e kontratës ka qenë 44 mijë euro, derisa oferta me çmimin më të lartë ka qenë 43 mijë e 257 euro./Reporteri.net

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
“Burini University Hospital” nga Stambolli, do të organizojnë Seminarin Ndërkombëtar…