Sasha Zlatkoviq ka pranuar fajësinë, ka fyer UÇK-në dhe nënat shqiptare

29 gusht 2024 | 13:02

Në seancën fillestare të enjten në Gjykatën Themelore në Prishtinë, i akuzuari Sasha Zlatkoviq ka pranuar fajësinë lidhur me akuzën se nxori në rrjete sociale një video-xhirim, ku fyhej logoja e UÇK-së dhe nënat shqiptare.

“Ndihem fajtor dhe unë e kam pranuar menjëherë fajin tim, nuk ka qenë e qëllimshme nuk është dashur të ndodh kështu, por ka dal qysh ka dal dhe në fund pendohem për këtë që ka ndodhur”,  ka thënë i akuzuari Zlatkoviq.

Një deklarim të tillë, i akuzuari e ka bërë pas leximit të aktakuzës nga prokurorja speciale Fikrije Krasniqi-Fejzullahu raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pranimi i fajësisë nga ana e të akuzuarit nuk është kundërshtuar nga prokurorja Krasniqi-Fejzullahu e as nga mbrojtësi i tij, avokati Shyqri Syla, të cilët i kanë propozuar gjykatës ta aprovojë pranimin e fajësisë.

“Duke pasur parasysh faktin që i pandehuri që nga fillimi i kësaj procedure penale e ka pranuar fajësinë dhe se i njëjti ka pasur vazhdimisht mbrojtje profesionale dhe mundësi konsultimi me të në njërën anë, e në anën tjetër edhe ky pranim fajësie përputhet edhe me provat tjera materiale që gjendjen në shkresat e lëndës, Prokuroria mendon që gjykata duhet të merr aktvendim mbi pranimin e fajësisë sepse i njëjti është i vullnetar dhe pa as njëlloj presioni”, ka thënë prokurorja Krasniqi-Fejzullahu.

Edhe avokati Syla ka thënë se i mbrojturi i tij pranimin e fajësisë e ka bërë me vullnetin e tij të lirë, pa presion, premtim apo joshje, duke kërkuar nga gjykata që një pranim i tillë të aprovohet.

Më pas, gjykatësi i rastit Kushtrim Shyti ka marrë aktvendim me të cilin është aprovuar pranimi i fajësisë nga ana e të akuzuarit, pasi që sipas tij janë përmbushur kushtet ligjore për një pranim të tillë.

Lidhur me shqiptimin e sanksionit penal, avokati Syla ka kërkuar nga gjykata që me rastin e matjes dhe llojit të dënimit të merren parasysh edhe një mori rrethanash lehtësuese, duke propozuar që ndaj të mbrojturit të tij të shqiptohet një dënim me gjobë ose dënim me burgim të cilin do ta zëvendësoj me gjobë, e me të cilin sipas tij do të arrihet në tërësi qëllimi i dënimit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, i…