Kurti: Po vendosim sundim të ligjit dhe rend publik

30 gusht 2024 | 13:20

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është pyetur të premten nga gazetarët për deklaratën e presidentit të Francës, Emmanuel Macron, i cili ka thënë se partnerët evropianë janë të shqetësuar me “lëvizjet e njëanshme të Kosovës”.

Kurti ka thënë se qeveria e tij është duke vendosur sundim të ligjit dhe rendit publik, si dhe duke siguruar paqe dhe siguri për të gjithë qytetarët e Kosovës, pa dallime.

“Në këtë aspekt duam edhe bashkëpunimin e ngushtë, edhe mbështetjen ndërkombëtare, përfshirë këtu edhe Francën, që e konsiderojmë vend mik, aleat dhe partner shumë të rëndësishëm edhe në Bashkimin Evropian, edhe në NATO”, ka thënë Kurti.

Një ditë më herët, gjatë një vizite në Serbi, Macroni ka thënë se lëvizjet “e njëanshme” dhe “shqetësuese” të Kosovës nuk japin sinjal të mirë.

Me këtë deklaratë, Macroni është referuar mesa duket disa vendimeve të Qeverisë së Kosovës – përfshirë atë për mbylljen e disa degëve të Postës së Serbisë në veri të vendit – dhe synimeve të saj për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë, të cilat janë kritikuar edhe nga pjesa tjetër e bashkësisë ndërkombëtare.

Ai, po ashtu, ka thënë se Franca është e përkushtuar që të themelohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Për këtë asociacion, Kosova dhe Serbia janë dakorduar qysh në vitin 2013, por marrëveshja nuk është zbatuar kurrë.

Gjatë qëndrimit të Macronit në Serbi, ky vend ka nënshkruar marrëveshje me kompaninë e Francës, “Dassault Aviation”, për blerjen e 12 avionëve të rinj luftarakë, “Rafale”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, ka postuar fotografi të stadiumit…