Hapja e Urës pa pëlqimin e aleatëve, aventurë e rrezikshme, çdo gjë mund të kthehet 15 vjet mbrapa

01 shtator 2024 | 09:01

Hapja e Urës së Ibrit pa një konsultim paraprak me aleatët rrezikon raportet me ndërkombëtarët dhe rrezikon ta rikthejë situatën 15 vjet mbrapa duke barrikaduar në tërësi Urën e Ibrit nga KFOR-i. Kështu vlerësojnë njohës të çështjeve të sigurisë.

Profesori universitar Fatmir Çollaku ka thënë për Ekonomia Online se është një “aventurë e rrezikshme” insistimi i qeveritarëve për hapjen e Urës së Ibrit pa pëlqimin e aleatëve ndërkombëtarë.

Ai konsideron se situata mund të kthehet në vitin 2004 – që forcat e KFOR-it ta barrikadojnë pjesën që ndan Mitrovicën e Veriut me atë të Jugut.

“Është aventurë e rrezikshme hapja e Urës pa pëlqimin dhe dakordimin e miqve ndërkombëtar, patjetër duhet të ketë dakordim me SHBA-në dhe NATO-n, sepse në të kundërtën është kundër efekt hapja e Urës së Ibrit një anshëm, duhet patjetër të ketë koordinim dhe bashkëpunim me miqtë tanë ndërkombëtarë, posaçërisht SHBA-në dhe NATO-n. Nuk ka rrezik fare por ka hapa mbrapa sepse KFOR-i shumë lehtë, brenda një kohe shumë të shkurtër një orë apo dy, mund ta barrikadojë, përkatësisht mund ta bllokojë urën me autoblinda ose tela gjemborë dhe çdo gjë kthehet 15 vjet mbrapa”, ka thënë ai.

Por të kundërtën e mendon eksperti i sigurisë, Nuredin Ibishi. Ai mendon se hapja e urës nuk ka rrezik për eskalim të situatës. Sipas tij, liderët institucional duhet të marrin vendime në bashkëpunim me ndërkombëtarët.

“Mendoj që ky status ka gjasa të ndërpritet dhe Ura do të hapet, nuk ka asnjë rrezik për një eskalim të situatës por duhet që liderët mos të marrin vendim të njëanshëm por çdoherë në bashkëpunim edhe me partnerë strategjik në raport me SHBA-në për të cilët u dha vërejtja se do të shkoni në përmes takimeve të Brukselit, si marrëveshje e Brukselit e cila në vitin 2017 ka pasur një formë me planin e veprimit por mendoj që edhe këto nuk do të sjellin rezultate por gjithsesi, lidershipi jonë duhet të zbatojë këto sugjerime apo udhëzime të partnerëve tonë ngase vendimet e një anshme mund të sjellin situatën, për shkak të tensioneve rajonale që mjafton diku të shkrepë dhe ajo në formë zingjirore të përhapet edhe mundësia e konfliktit, dhe andaj duhet të jenë të kujdesshëm të kenë në bashkë rëndim dhe bashkë veprim me prezencën ndërkombëtare në Kosovë”, ka thënë Ibishi.

Eksperti i sigurisë e konsideron situatë të rrezikshme nëse Kosova nuk bashkëpunon me ShBA-në dhe aleatët tjerë.

“Mendoj që është e rrezikshme sepse i bie sikur Serbia ka lobuar shumë duke ngritur çështjen edhe pse ajo nuk është një pasiguri hapja e Urës përkundër asaj që i lidh komunitetet në të dy anët, është punë që integron atë çka pretendojnë qeveritarët tanë por tendencat serbe janë për t’u nda veriu me jugun për t’u bërë një sistem deskrutiv i veprimit por që lidershipi serbë kanë mbërri në qendër e vendosjes për me krijuar një opinion se ajo mundë të ketë një rrezikshmëri të lartë , dhe mendoj që shumë më mirë është që kjo të shkoj në koordinim dhe bashkë veprim me ndërkombëtarët dhe jo të merret një veprim i një anshëm i pakoordinuar dhe ajo mundë të ketë pasoja, ngase ndërkombëtarë të kanë sugjeruar në mënyrë të prekët por edhe vizita e fundit e zotit Burns”, shtoi ai.

Kryeministri Albin Kurti gjatë javës ka thënë se për hapjen e urës Lumin Ibër në Mitrovicë, janë duke i bërë të gjitha konsultimet e nevojshme, si trajtimin e draftit preliminar për qëndrueshmërinë fizike të urës e deri te përgatitjet për rregullimin e pamjes dhe pastrimin e mjedisit rrotull.

“Në të gjitha këto takime natyrisht diskutohet edhe çështja e hapjes së urës qendrore mbi lumin Ibër në Mitrovicë, për të cilën jemi duke i bërë të gjitha konsultimet e nevojshme, si dhe punët tona të shtëpisë, si për shembull trajtimi i draftit preliminar për qëndrueshmërinë fizike të urës, teksa presim raportin final, e deri te përgatitjet për rregullimin e pamjes dhe pastrimin e mjedisit rrotull. Hapja e urës është liri e lëvizjes. E liria e lëvizjes është e drejtë themelore si në Republikën e Kosovës ashtu edhe në Bashkimin Evropian”, ka thënë Kurti me 28 gusht në mbledhjen e qeverisë. /EO/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK) është në fazën finale…