Fillon projekti ambicioz ‘Qyteti i mençur’ për Prishtinën

01 shtator 2024 | 13:44

Komuna e Prishtinës në bashkëpunim me ndërmarrjen publike “Prishtina Parking” kanë vendosur të ndryshojnë infrastrukturën e kryeqytetit me projektin “Qyteti i mençur”.

Pjesë e këtij projekti janë vendosja e sensorëve të parkingjeve, shtyllave “të mençura”, të cilat do të japin informacione për trafikun, vendosjen e biçikletave dhe stacioneve.

Kryeshefi i Prishtina Parking, Sokol Havolli, ka thënë për “Kosovapress” se me këtë do të reduktohen edhe ndotësit e ambientit dhe trafiku, si dhe do të ofrohen alternativa të reja për transport.

“Janë 10 pika për vendosjen e biçikletave në kryeqytet, janë të vendosura në atë formë që mundësojnë qarkullimin e njerëzve nga një pikë në pikën tjetër, të vendosura në mënyrë strategjike, të cilën do ta lehtësonin transportin e qytetarëve përmes kësaj metode alternative… 2:02 Objektivë e kryetarit (Përparim) Rama dhe institucioneve në përgjithësi në kryeqytet është reduktimi i trafikut dhe ndotësve të ambientit, përmirësimi i cilësisë së ajrit dhe njëra nga metodat, përveç asaj pjesës së vendosjes së çështjeve digjitale, edhe ofrimi i alternativave të reja për transport në kryeqytet”, ka thënë Havolli.

Havolli thotë se me implementimin e sensorëve dhe shenjave digjitale, qytetarët do ta kenë më të lehtë gjetjen e parkingjeve të lira.

“Janë vendosur rreth 500 sensorë dhe 12 shtylla të mençura, të cilat kanë komunikim të vazhdueshëm, të cilat japin informacion dhe sinjale të vazhdueshme monitoruese për Prishtina Parking… Me implementimin e këtyre sensorëve dhe shenjave informuese digjitale, qytetarët nuk do të kenë nevojë të bëjnë xhiro nëpër lagje për të gjetur një vend parking, sepse ky informacion do të jetë në hyrje te lagjes, rrugë kryesore të kryeqytetit edhe nëpër pajisje digjitale, prandaj kjo automatikisht eliminon nevojën që qytetarët të kërkojnë një vend-parking, sepse informacionin do ta kenë të shfaqur në tabela të mençura që do të jetë një proces automatik”, ka thënë ai.

Havolli paralajmëron në të ardhmen ta implementojnë në mënyrë precize edhe rregulloren e re për banorët rezidentë.

“Në të ardhmen sigurisht synojmë që ta implementojmë sa më në mënyrë precize edhe çështjen e rregullores së re, e cila krijon edhe një avantazh të jashtëzakonshëm edhe për banorë rezidentë. Pjesë e rregullores është edhe vendosja e segmenteve të ndryshme që nënkupton që në momentin që ne bëjmë ndarjen e segmenteve në lagje, në orare të caktuara sidomos në orët e pasdites, parkingu brenda lagjes do të jetë vetëm për banorët rezidentë dhe nuk do të jetë i lejuar për vizitorë”, ka thënë ai.

Ndryshe, shfrytëzimi i biçikletave nga qytetarët pritet të fillojë nga java e ardhshme.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sipas mediave të huaja, 40 të burgosur shqiptarë në burgun…