Projektim i rrugës Tetovë-Prizren, ministri maqedonas i Transportit: Të shohim a mund ta realizojmë

01 shtator 2024 | 18:54

Qeveria e Maqedonisë së Veriut do të punojë me Komunën e Tetovës për ta definuar projektin për ndërtimin e rrugës Tetovë-Prizren. Ministri i Transportit, Aleksandar Nikollovski deklaroi se është e nevojshme të bëhet projektim për të parë nëse mund të realizohet.

“Është e nevojshme të bëjmë projektim dhe kur ta bëjmë projektin duhet ta shohim se cila është vlera reale e asaj rruge, a do të mund të realizohet në mënyrën se si është paraparë dhe nëse është e mundur, ta realizojmë”, tha Nikollovski, raporton Alsat.

Institucionet në Kosovë tashmë kanë filluar ndërtimin e rrugës që duhet t’i lidhë dy qytetet. Plani fillestar parashikonte ndër tjerash edhe tunel 6 kilometërsh. Kostoja e projektit pritet të jetë rreth 200 milion euro.

Qeveria e Kosovës disa herë ka bërë thirrje që të mos ketë vonesa në ndërtimin e rrugës nga ana e Maqedonisë së Veriut.

Për këtë çështje, në Prishtinë ka zhvilluar takime zv.ministrja maqedonase e Transportit Kaltrina Zekolli. Megjithatë, zyrtarët në Shkup dhe në Prishtinë diskutojnë edhe për një lidhje tjetër të mundshme infrastrukturore. Nikollovski kërkon angazhim serioz nga Qeveria e Kosovës, që të investojnë për lidhje hekurudhore me Shkupin dhe si pasojë, edhe me Selanikun.

“Mendoj se përfitimi do të jetë i dyfishtë, e para për qytetarët sepse lëvizja e qytetarëve është e lartë dhe do të ulet koha e pritjes në kufi. Mendoj duhet të kemi trena ditor nga Shkupi në Prishtinë, që do të lëvizin nga qendra e Shkupit, në qendër të Prishtinës. E dyta arsye është biznesi, ekonomia. Për momentin përfaqësinë e Selanikut bizneset e Kosovës nuk mund ta shfrytëzojnë në linjë hekurudhore por e shfrytëzojnë vetëm me automjete sepse nuk ka lidhje të duhur hekurudhore. Nga ana jonë ne kemi bërë gjithçka kemi bërë dhe jemi të gatshëm që nesër ta nisim atë punë”, shtoi Aleksandar Nikollovski, ministër i Transportit.
Autoritetet e transportit në Prishtinë janë ftuar për vizitë zyrtare në Shkup në lidhje me këto projekte.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një 70-vjeçar shqiptar në Itali është bërë protagonist i një…