Pulla postare me imazhet e Fehmi Aganit e Ejup Statovcit

01 tetor 2018 | 12:10

Në kuadër të tematikës “Personalitete të shquara”, Posta e Kosovës ka emetuar të hënën dy pulla postare me imazhet e profesorëve dhe veprimtarëve Ejup Statovci dhe Fehmi Agani.

Me këtë rast, kryeshefi ekzekutiv i Postës së Kosovës, Sejdi Hoxha, ka pritur në takim anëtarë të familjeve Statovci dhe Agani, të cilëve iu dhuroi pullat e para postare si dhe nga një pullë postare të punuara në bronz.

Kryeshefi Hoxha ka thënë se është krenari për Postën e Kosovës dhe të gjithë punonjësit e saj, që përmes emetimit të këtyre dy pullave postare të nderojë këta dy akademikë dhe veprimtarë të shquar të çështjes kombëtare.

Prof. dr. Ejup Statovci ishte rektor i Universitetit të Prishtinës në kohët më të vështira të ekzistencës së këtij tempulli të dijes, në vitet e ’90-ta, gjatë kohës së okupimit të egër serb. Ai nuk u nda asnjëherë nga studentët.

Bashkë me ta doli në ballë të protestës historike të 1 tetorit në vitin 1997, që shënon një kthesë të madhe në rezistencën e popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi.

Profesor Ejup Statovci ndërroi jetë më 19 tetor 1999. Për kontributin e tij të jashtëzakonshëm rektori Ejup Statovci është shpallur hero i Kosovës nga presidenti i Kosovës, më 25 maj 2018.

Prof dr. Fehmi Agani ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e Kosovës.
Si profesor universiteti ai dha një kontribut të madh edhe në ndërtimin dhe zhvillimin e Universitetit të Prishtinës.

Fehmi Agani ishte një nga veprimtaret më të dalluar politik të viteve të ’90-ta. Ishte një nga ideologët më të shquar të rezistencës paqësore kundër regjimit serb.

Agani mori pjesë edhe në Konferencën e Rambujesë.
Profesor Agani u vra nga forcat kriminale serbe gjatë kohës së luftës në Kosovë, në pranverën e vitit 1999.

Për kontributin e tij të jashtëzakonshëm shpallet hero i Kosovës nga presidenti i Kosovës, më 6 maj 2004.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Polonia rikonfirmohet kampione e botës në volejboll për meshkuj, pas…