Gazetarja nga Mali i Zi: Vuçiqi ose BIA sot kontrollojnë shumicën e medieve malazeze

02 shtator 2024 | 08:45

Një pjesë e mediave malazeze janë nën ndikimin serb. Kështu thotë Tamara Nikçeviq, gazetare rajonale e vlerësuar me çmime dhe autore e emisionit “Aritmija”, derisa shton se autoritetet në Mal të Zi nuk po bëjnë mjaftueshëm në luftimin e kësaj dukurie.

Sipas saj, kontrolli i shumicës së mediave me ndikim në Mal të Zi nga struktura të lidhura me regjimin e presidentit serb Aleksandër Vuçiq ka natyrë kryesisht politike dhe jo ekonomike.

“Vuçiq ose BIA sot kontrollojnë shumicën e mediave malazeze”, nënvizon ajo.

Nikçeviq tregon për The Geopost edhe sfidat me të cilat përballen gazetarët që kritikojnë autoritetet, përfshirë përndjekjen dhe presionet e vazhdueshme.

“Për dallim nga Serbia, ku mediat e kontrolluara, nga njëra anë nga Vuçiq, nga ana tjetër nga Dragan Sholak apo Dragan Gjilas, kanë një politikë editoriale pothuajse identike kur bëhet fjalë për rajonin, veçanërisht Malin e Zi dhe Kosovën, si dhe sipas prioriteteve të politikës së jashtme të Serbisë, në Mal të Zi keni dallim të qartë mes mediave të BIA-s dhe mediave që kritikojnë politikën e qeverisë”.

Intervista e plotë:

The Geopost: Të dhënat tregojnë se shumica e mediave më me ndikim në Mal të Zi janë të kontrolluara ose në pronësi të strukturave në Serbi të lidhura drejtpërdrejt ose tërthorazi me regjimin e Aleksandër Vuçiqit. Cilat janë arsyet për këtë – ekonomia apo më shumë ndikimi politik?

Nikçeviq: Sigurisht, fjala është për ndikim politik. Mali i Zi është një treg i vogël dhe të gjithë e dimë se atje nuk ka ndonjë profit të veçantë ekonomik.  Pra, është ndikim thjesht politik.

Sot, Vuçiq ose BIA kontrollon shumicën e mediave malazeze. Është sekret publik që këto televizione, gazeta dhe portale janë të integruara, shumë shpesh nga një qendër koordinohen dhe merren vesh se kush ku do të jetë mysafir, kush ku dhe si të lëshojë çfarëdo lloj lajmi të rremë, që transmetohen më pas nga të tjerët.

Për dallim nga Serbia, ku mediat e kontrolluara, nga njëra anë, nga Vuçiq, nga ana tjetër nga Dragan Sholak apo Dragan Gjilas, kanë një politikë editoriale pothuajse identike kur bëhet fjalë për rajonin, veçanërisht Malin e Zi dhe Kosovën, si dhe për prioritetet e politikës së jashtme të Serbisë, në Mal të Zi keni një dallim të qartë mes mediave të BIA-s dhe mediave që kritikojnë politikën e qeverisë. Këto të fundit nuk janë aq të fuqishme, por nuk do ta nënvlerësoja ndikimin e tyre.

The Geopost: Sa janë të shkatërruara shoqëria, kultura malazeze dhe vetë vendi falë një imazhi të tillë mediatik?

Nikçeviq: Në një masë të mirë mediat kanë ndikuar në këtë dhe të gjithë ata që merren më seriozisht me këtë analizë mund ta shohin këtë. Gazetarëve dhe kolumnistëve joprofesionistë dhe të nivelit shumë të ulët të arsimimit u pëlqen, për shembull, të rishkruajnë historinë dhe shpesh keni përshtypjen se të ashtuquajturat tekstet ose kolumnat e tyre i shkruajnë me idenë për t’i kënduar me lahutë.

Shembull i ndikimit malinj të mediave në shoqërinë malazeze është portali (In4S prim.nov.) i cili nuk është i regjistruar në Mal të Zi dhe themeluesi i të cilit është rektori aktual i Universitetit të Malit të Zi, Vlladimir Bozhoviq.

Të gjithë kalorësit mediatikë të apokalipsit nga rajoni, të gjithë luftënxitësit dhe errësira janë atje. Ose, kohët e fundit kam dëgjuar radion serbe në Mal të Zi, e cila në emisionet e saj qendrore të lajmeve jo vetëm që jep më shumë informacion nga Serbia – Vuçiq është sigurisht më i miri dhe më i bukuri – sesa nga Mali i Zi, por gjithashtu i informon dëgjuesit se ku popi i Kishës shtetërore të Serbisë do të mbajnë liturgji. Pak a shumë e njëjta gjë është edhe në mediat e tjera.

The Geopost: A po bëjnë diçka dhe çfarë po bëjnë autoritetet aktuale për ta ndryshuar situatën, apo u përshtaten atyre realisht këto mundësi mediatike?

Nikçeviq: Nuk bëjnë asgjë, as që bëhet fjalë. Kjo lloj situate mediatike u përshtatet saktësisht atyre. Puna e disa mediave lokale, për shembull, nuk ndikohet vetëm nga autoritetet e qytetit ose ato të nivelit shtetëror. Kjo besoj nënkuptohet. Gazetarët e këtyre mediave dëshmojnë se janë të detyruar t’i plotësojnë të gjitha dëshirat e zyrtarëve vendorë, drejtorëve apo sekretarëve të sekretariateve të qytetit. Kështu duket liria e medias në interpretimin e atyre primitivëve.

The Geopost: Si është të jesh gazetar sot në Mal të Zi, veçanërisht kritik ndaj autoriteteve? Në katër vitet e fundit ju personalisht keni qenë disa herë në shënjestër sepse jeni njohur si kritike i autoriteteve, organeve shtetërore dhe jeni marrë në pyetje. Prokuroria Speciale e Shtetit (SDT)  e Malit të Zi kohët e fundit u përpoq t’ju penalizojë sepse keni pasur komunikim me ish-kryeprokurorin special Millivoje Katniq.

Nikçeviq: Më keni bërë disa pyetje, kështu që unë do t’i përgjigjem një nga një. Fatkeqësisht, nuk mund t’ju dëshmoj se si është të jesh gazetar në Mal të Zi. Si zakonisht, për momentin jam duke bashkëpunuar me mediat në katër shtete të ish-RSFJ-së – Serbi, Bosnjë dhe Hercegovinë, Kosovë dhe Kroaci.

Për momentin nuk kam një angazhim të sigurt në Mal të Zi. Përveç statusit disavjeçar si autore i Pobjedës nga Beogradi, një lloj korrespondenti nga Beogradi ose dikush që mbulonte rajonin, herë pas here vizitoja Malin e Zi. Televizioni i qytetit (Gradska televizija), portali dhe radio RTV Podgorica të cilat i kam themeluar dhe redaktuar në periudhën 2020-2023 ishte në fakt një incident. Ashtu si emisionet e mia që kam pasur në median publike të Televizionit të Malit të Zi.

Në mediat malazeze, për fat të keq, situata është e ngjashme me atë të politikës: janë hapur kanale, por midis atyre gjenive vendas nga të dyja anët, fama e të cilëve përgjithësisht nuk shkon përtej Bioçes (qytet i vogël afër Podgoricës), ka ende një konsensus: e ai është se nuk ka vend për mua në mediat e tyre.

Kjo marrëveshje e ulët është kompliment për mua, më imponohet dhe e bart si medalje.

Përsa i përket sulmeve, si gazetare dhe si redaktore i disa mediave, nuk i kam mistifikuar kurrë këto gjëra. Krijova Televizionin e Qytetit (Gradska TV), e redaktova profesionalisht, solla në Podgoricë Jugosllavinë më të mirë dhe jugosllavët më të mirë; pas vetëm një viti, media publike lokale e Podgoricës u bë një markë e vogël rajonale. Çlirimtarët, natyrisht, e prishën këtë dhe krijuan një TV “më të bukur dhe më të vjetër” të Qytetit. Dhe unë vetëm mund t’i përgëzoj për këtë!

Me një pjesë të asaj që kaluan gazetarët e “Gradska-s” dhe unë së bashku me ta natyrisht, publiku është i njoftuar, një pjesë nuk dihet, sepse nuk kishim zakon të ankoheshim për çdo e-mail kërcënues dhe mesazh kërcënues që merrnim. Kemi punuar profesionalisht, jemi munduar të punojmë profesionalisht pavarësisht sulmeve dhe etiketimeve nga pushteti, partitë politike, përfaqësues të institucioneve, grupe të rrezikshme kriminale e të tjera.

Në fund më pyetët për skandalin që lidhet me ish-prokurorin Millivoje Katniq – akuzat e prokurorit gjakatar (Milosh) Shoshkiq, i cili u përpoq të na kriminalizonte disa gazetarë dhe shkrimtarin malazez Millorad Popoviq për shkak të kontaktit të tyre me ish-prokurorin special Millivoje Katniq, i cili ishte i padënuar në atë kohë, një njeri i lirë, flet jo vetëm për mënyrën se si një institucion i rëndësishëm në Mal të Zi i trajton gazetarët dhe mediat, por edhe për mënyrën se si prokuroria, duke abuzuar me pushtetin që ka, keqpërdor dhe përpiqet të vrasë një njeri të cilit praktikisht ia mohon të drejtën e mbrojtjes.

Dhe kjo do të ishte gjithçka që mund t’ju duhet të dini në këtë moment për qeverinë kriminale, primitive, kontestuese, marionete, e cila, përveç “partnerëve tanë perëndimorë”, u mbështet me gjithë zemër nga miqtë tanë të mëdhenj nga partitë opozitare dhe media e lirë në Serbi.

/The Geopost

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkolla Fillore dhe e Mesme e Ulët ‘Pavarësia’ në Prishtinë…