“Shteti duhet t`i paguajë avokatët e ish-udhëheqësve të UÇK-së në Hagë”

03 shtator 2024 | 08:06

Avokati Skënder Musa tha se Qeveria e Kosovës duhet t’i mbulojë shpenzimet në procesin gjyqësor në Hagë ndaj ish udhëheqësve të UÇK-së pavarësisht se sa kushtojnë.

“Avokatët në proceset ndërkombëtare janë jashtëzakonisht të shtrenjtë edhe për buxhetin e Kosovës  e edhe për vet familjarët. Unë mendoj se Qeveria e Kosovës duhet t’i mbulojë shpenzimet pavarësisht se sa kushtojnë sepse të gjitha qeveritë e ish-Jugosllavisë dhe shteteve të tjera i mbulojnë shpenzimet e shtetasve të tyre të akuzuar, e në mënyrë të veçantë kur kemi të bëjmë me rastet e ushtrive që mbrojnë territorin e vendit kur kanë agresion nga një shtet tjetër”, tha Musa.

Megjithatë, ai tha se Qeveria e Kosovës ka mbuluar shpenzimet e avokatëve mbrojtës në këtë proces. “Dorëheqja e fundit, apo shkarkimi i avokatit Ben Emerson, nëse janë të sakta ato që kemi dëgjuar në mjetet e informimit është bërë me kërkesë të zotit Veseli. Në këtë rast i bie revokim autorizimi dhe nuk lidhet drejtpërdrejt me financimin”, tha ai.

Ai tutje tha se ka qenë edhe kërkesa e ekipit mbrojtës të ish presidentit, Hashim Thaçi që të rritet apo të bëhet pagesa në mënyrë më efikase për shkak se edhe në të kaluarën mbrojtësit kanë pasur ankesa lidhur me pagesat që janë bërë nga Qeveria e Kosovës.

“Me siguri janë vonuar për shkak të procedurave burokratike që ekzistojnë nëpër institucionet qeveritare jo vetëm në Kosovë,  por edhe në vendet tjera. Avokatët veprojnë si kompani private dhe ata varësisht prej afateve që vendosin në departamentet përkatëse të ministrisë së Drejtësisë, ata edhe ashtu i kërkojnë mjetet pasi që në vendet perëndimore datat dhe afatet respektohen në mënyrë strikte“, tha avokati Skënder Musa në “Info Plus” në RTK.

I pyetur se a është e domosdoshme që shteti i Kosovës t’i mbulojë shpenzimet e avokatëve mbrojtës pavarësisht çmimit që ata kanë vendosur për mbrojtjen ish udhëheqësve të UÇK-së, Musa tha se të gjitha vendet e rajonit si Kroacia dhe Bosnja dhe Hercegovina i kanë paguar shpenzimet për shtetasit e tyre që kanë marrë pjesë në mbrojtjen e vendit nga agresioni i Serbisë.

“Është edhe praktikë, por edhe procedurë e ligjshme pagesa e avokatëve mbrojtës në rast se shtetasit e saj akuzohen për krime lufte gjatë luftës çlirimtare, apo luftës për lirimin e territoreve të okupuara siç ka qenë rasti i Kroacisë, Bosnjës dhe Hercegovinës dhe Kosovës”, theksoi avokati.

Sipas tij, për shtetin e Kosovës nuk janë shuma të mëdha 23 milonë euro për mbrojtjen që kanë paguar deri më tani, sepse bëhet fjalë për katër vite proces gjyqsor.

Musa tha se ka pasur edhe opinione që duhen caktuar avokatët mbrojtës sipas detyrave zyrtare në Dhomat e Specializuara, mirëpo sipas tij në këto çështje kaq të rënda penale dhe kaq të rëndësishme për Kosovën është e paimagjinueshme që të ketë mbrojtje efikase.

“Në anën tjetër duke pasur parasysh se në Hagë janë prijës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është personi që e ka shpallur pavarësinë e Kosovës dhe të gjithë kanë qenë funksionarë dhe të paktën deputetë të Kuvendit të Kosovës, është e domosdoshme që të angazhohet shteti në mbrojtjen e tyre”, deklaroi Skënder Musa.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se autoritetet në…