KESCO hapi zyrën në Aeroportin “Adem Jashari”

03 shtator 2024 | 11:10

KESCO ka hapur sot zyrtarisht pikën e vet në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” (ANP).

Hapjen e saj e bëri menaxhmenti i lartë i KESCO-s dhe është përmbushje e zotimit të kompanisë që të jetë sa më pranë konsumatorëve dhe plotësim i misionit që të ndërtojë partneritet me ta.

Në këtë pikë do të kryhen shërbime të ndryshme, duke filluar nga pranimi dhe trajnimi i kërkesave dhe ankesave të konsumatorëve, udhëzimet në lidhje me to, përditësimi i të dhënave të konsumatorëve, e çështjet që kanë të bëjnë me aplikacionin eKesco, duke përfshirë asistencën për shkarkimin e aplikacionit, udhëzim në kryerjen e pagesave me aplikacion, si dhe udhëzime tjera të përdorimit të tij.

Së shpejti në këtë pikë do të fillojë edhe pagesa e energjisë elektrike, pra do të shërbejë edhe si arkë për pagesat e energjisë elektrike.

Kjo nuk është prania e parë e kompanisë në portin e vetëm ajror të vendit.

KESCO gjatë muajit korrik dhe gusht në aeroport kishte vendosur dy shtande, një tek nisjet dhe një tjetër tek arritjet me synimin që të bëjë përditësimin e të dhënave të konsumatorëve dhe familjarizimin me eKesco, sidomos për diasporën, e cila gjatë verës viziton jashtëzakonisht shumë Kosovën, por e ka kohën e limituar për të kryer punë administrative.

Të ndarë të kënaqur me shërbimet, një numër i konsiderueshëm i tyre kërkuan që pika të jetë permanente dhe KESCO këtë e jetësoi këtë fillim shtatori.

Si rrjedhojë, hapja e kësaj pike llogaritet që do t’iu ndihmojë atyre, sidomos diasporës, jashtëzakonisht shumë në kryerjen e shërbimeve të ndryshme që kanë të bëjnë me furnizimin me energjinë elektrike, por jo vetëm. Aty mund te shërbeheni edhe ju konsumatorë derisa po prisni ardhjen e familjarëve tuaj.

Ato shërbime pritet të jenë të shumta, kur merret parasysh fakti që vetëm nga janari deri në korrik të këtij viti, përmes ANP-së kanë udhëtuar mbi 2 milionë udhëtarë, duke e bërë një nga vendet më të frekuentuara në Kosovë. Zyra më e re e KESCO-s ndodhet tek arritjet, përballë hyrje/daljes së aeroportit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), Arbërie Nagavci,…