Netanyahu e kritikon Britaninë për pezullimin e eksportimit të disa armëve në Izrael

03 shtator 2024 | 17:05

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë të martën se Qeveria e Britanisë së Madhe ka marrë “vendim të turpshëm” kur i ka pezulluar licencat e eksportimit të disa llojeve të armëve në Izrael.

Ministri i Jashtëm i Britanisë së Madhe, David Lammy, ka thënë të hënën se qeveria britanike i ka pezulluar 30 prej 350 licencave të eksportimit të armëve me Izraelin për shkak të rrezikut se ato mund të përdoren për të kryer shkelje të rënda të ligjit humanitar ndërkombëtar.

Vendimi, i cili është marrë një ditë pasi forcat izraelite i nxorën trupat e gjashtë pengjeve nga një tunel në Rripin e Gazës, u dënua shpejt nga një numër i ministrave izraelitë. “Ky vendim i turpshëm nuk do ta ndryshojë përkushtimin e Izraelit për ta mposhtur Hamasin [grupin e shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian], i cili është organizatë terroriste që vrau egërsisht 1 200 njerëz më 7 tetor, përfshirë 14 shtetas britanikë. Hamasi ende po i mban mbi 100 pengje, përfshirë 5 shtetas britanikë. Në vend se të qëndrojë përkrah Izraelit, një demokraci që mbron veten nga barbarizmi, vendimi i gabuar i Britanisë vetëm sa do ta forcojë Hamasin”, ka thënë Netanyahu në një postim në rrjetet sociale. Ai ka shtuar se “me apo pa armët britanike, Izraeli do ta fitojë këtë luftë dhe do ta sigurojë të ardhmen tonë të përbashkët”.

Pak pasi Partia Laburiste i ka fituar zgjedhjet në korrik, Lammy ka thënë se do ta rishikonte shitjen e armëve për Izraelin për t’u siguruar se shitja është në përputhje me ligjin ndërkombëtar.

Eksporti i armëve britanike përbën më pak se 1 për qind të totalit të armëve që importon Izraeli, prandaj ministri ka thënë se pezullimi nuk do të kishte ndikim material në sigurinë e Izraelit dhe se Britania vazhdon ta mbështesë të drejtën izraelite për vetëmbrojtje. Liderët izraelitë dhe palestinezë janë duke u hetuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit pas sulmit të 7 tetorit nga Hamasi në jug të Izraelit, ku u vranë 1 200 njerëz. Përgjigjja e Izraelit në Gazë ka bërë që më shumë se 40 000 palestinezë të vriten, sipas autoriteteve shëndetësore palestineze.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kamala Harris kryeson ndaj Donal Trumpit në mesin e votuesve…