SBAShK-u takohet me Kusari-Lilën, kërkon ngritjen e koeficientit të pagave

04 shtator 2024 | 15:42

Përfaqësuesit e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK) janë takuar me shefen e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila.

SBAShK-u përmes një njoftimi për medie, ka bërë me dije se kryetari Rrahman Jasharaj në fillim të këtij takimi ka treguar për kërkesat dhe detyrat konkrete që kanë dalë nga takimi i 30 gushtit me kryetarët e kuvendeve komunale të sindikatave të universiteteve.

Ai ka shtuar se në kuadër të angazhimeve kanë dërguar kërkesë zyrtare kryeministrit Albin Kurti dhe ministres Arbërie Nagavci, që në mënyrë urgjente të ngritët vlera e koeficientit të pagave për së paku 30  për qind.

Kjo, sipas SBAShK-ut duhet të vlejë që nga muaji shtator i këtij viti dhe të realizohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese lidhur me kthimin e vlerës prej 0.5 për qind edhe për 15 vitet e para të përvojës së punës.

“Pas kësaj koordinatori për organizim të brendshëm, z. Ymer Ymeri, e ka njoftuar shefen e Grupit parlamentar, znj. Kusari-Lila edhe me angazhimet e bëra lidhur me përgatitjen e draftit të Kontratës Kolektive të Arsimit”.

“Po ashtu, u diskutua edhe për nismën qytetare për mbledhjen e numrit të duhur të nënshkrimeve për t’ia drejtuar deputetëve që të bëhen përmirësime në ndryshimet e Ligjit për Skemat Pensionale të financuara nga shteti, gjegjësisht që të kthehet pika 6 e nenit 8, e cila arsyeshëm ua njihte vitet e 90-ta si vite kontributpaguese, e po ashtu që si vite kontributdhënëse të njihet e tërë koha nga janari i vitit 1990 e deri në gushtin e vitit 2002, kur ka filluar të funksionojë Trusti Pensional. SBAShK-u ka kërkuar mbështetjen e deputetëve të LV-së që ta votojnë këtë kërkesë, e po ashtu të ndihmojnë për dialog e negociim me MAShTI-n lidhur me Kontratën Kolektive të Arsimit”, ka njoftuar SBAShK-u.

Ndërsa, shefja e grupit parlamentar të LV-së,  Mimoza Kusari-Lila, ka kërkuar që çështja e iniciuar për Ligjin e skemave pensioanle të financuara nga shteti t’u dërgohet edhe me shkrim, duke u shprehur se do të angazhohen edhe për dialogun lidhur me Kontratën Kolektive të Arsimit.

Në këtë takim është biseduar edhe për çështje të tjera në arsimin e Kosovës. Në këtë bashkëbisedim, kontribut kanë dhënë edhe deputetet Arjeta Fejza, Arjeta Rexhepi dhe deputeti Ardian Gola.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pas Florent Hadergjonajt edhe Mërgim Vojvoda është optimist për ndeshjen…