Sekuestrohen rreth 3 mijë libra shkollorë, dyshohet se ishin prodhuar pa të drejtën e autorit

04 shtator 2024 | 16:58

Task-Forca Kundër Piraterisë dhe Falsifikimit ka sekuestruar të mërkurën rreth 3 mijë libra arsimore-shkencore dhe profesionale, dyshohet se ishin prodhuar pa të drejtë autoriale.

Në njoftimin e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) është bërë me dije se janë kontrolluar subjektet të cilat merren me prodhimin, shitjen dhe shpërndarjen e materialeve që mbrohen me të drejtën e autorit.

“Procesi kontrollues dhe mbikëqyrja e zbatimit të Ligjit për të drejtat e autorit nga ana e Task-Forcës, respektivisht Inspektoratit të Tregut në mbështetje të Policisë së Kosovës është zhvilluar në disa qytete të Kosovës dhe është bërë sekuestrimi i materialit pirat. Zhvillimi i këtyre veprimeve kundër piraterisë në vend ka sjellë si rezultat sekuestrimin e rreth 3 000 librave arsimore-shkencore dhe profesionale”.

“Ndaj bizneseve tek të cilat është gjetur materiali pirat, pa leje dhe pa marrëveshje me mbajtësit e të drejtave, institucionet e zbatimit të ligjit do të ndërmarrin masa ndëshkuese konform legjislacionit në fuqi”, ka njoftuar MINT-i.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ishte raportuar se Mohamed Salah do të transferohet në Arabinë…