Komandant ‘Remi’: Të ndalen rrëfimet e të burgosurve politikë, të mos përdoret e kaluara për krekosje

04 shtator 2024 | 18:29

Rrustem Mustafa, i njohur si Komandant Remi, ka thënë se janë të panevojshme rrëfimet e të burgosurve politikë nëpër debate televizive.

Ai ka shtuar se askush nuk duhet rrëfimin për të kaluarën ta nxjerrë nga konteksti e ta personalizojë e reduktojë idetë nga përballja me sistemim okupues në përballje me individë të sistemit.

“Lëvizja jonë kombëtare gjatë zhvillimit të saj deri në arritjen e qëllimit, ka prodhuar vazhdimisht ideologë, disidentë, idealistë, luftëtarë dhe aktivistë të devotshëm. Asnjë nga ata, sado të kenë pasur sakrificë, punë e aktivitet, nuk do të duhej që rrëfimin e tillë mbi të kaluarën ta nxjerrë nga konteksti e ta personalizojë e reduktojë idetë nga përballja me sistemin okupues në përballje me individë të sistemit qofshin ata serb, shqiptarë apo tjerë.”

Remi ka thënë se Lëvizja Kombëtare ka pasur qëllim rrëzimin e sistemit okupues në Kosovë.

“Lëvizja Kombëtare ka pasur qëllim rrëzimin e sistemit okupues në Kosovë, dhe ka korrë fitore duke larguar sistemin okupator nga vendi. Pra, aktivistët tanë, lëvizja jonë, nuk u përballën me individët por me sistemin.”

Ai është shprehur se askush individualisht nuk mund ta falë asnjeri që ishte në mbështetje të së keqes.

“Askush individualisht nuk mundet të falë asnjërin që ishte në mbeshtetje të së keqës, por as të krekoset.  Secili duhet të deponojë dekleratat pranë organeve të shtetit ose në Shoqaten e të Burgosurve Politikë.”

Mustafa ka bërë thirrje që të ndërpriten këto rrëfime.

“Nderprejeni ju lutem këtë nxitim rrëfimi (ku bën pjesë dhe falja e cila, me sa di unë, nuk ju kërkohet) qe nuk e dini as ju dhe asnjëri tjeter se kujt i duhet kjo gjë.”

Ai ka thënë se nevojiten orientime dhe politika zhvillimore.

“Na duhen orientime dhe politika zhvillimore. Sa më shpejt që tëë mësohemi të flasim, të projektojmë dhe të bëjmë veprime për zhvillim në të ardhmën aq më lartë do të rangohemi si komb dhe si vend.”

Mustafa ka shtuar se e kaluara duhet të arkivohet dhe të nderohet por të mos përdoret për “krekosje, goditje e britma për të bërë shou”.

“Të kaluarën duhet arkivuar dhe nderuar, por jo të jetojmë dhe ta përdorim të kaluaren për krekosje, goditje dhe as britma për të bërë shou që s’na duhet. Ne duhet rë jetojmë me kohën dhe të ndertojmë të ardhme sa më të mirë që të jetë e mundur.”

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot ka marrë pjesë në…