“Rusia ndau 10 milionë dollarë për të ndikuar në zgjedhjet presidenciale amerikane”

05 shtator 2024 | 08:05

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë akuzuar dy menaxherë të një transmetuesi shtetëror rus dhe kanë akuzuar Kremlinin për një operacion të mbuluar për t’u përzier në zgjedhjet presidenciale të sivjetme, raporton BBC.

Prokurori i përgjithshëm, Merrick Garland, ka thënë se RT, i njohur më parë si “Russia Today”, dhe dy menaxherët e tij me qëndrim në Moskë, kanë orkestruar një “skemë prej dhjetë milionë dollarësh amerikanë për të krijuar dhe shpërndarë përmbajtje për audiencat amerikane me mesazhe të fshehura qeveritare ruse”.

Garland ka bërë të ditur gjithashtu se Departamenti i Shtetit ka konfiskuar 32 emra domenesh të përdorur prej aktorëve rusë si pjesë e operacionit të dyshuar për ndikim në presidencialet e sivjetme amerikane, raporton BBC.

Qëllimi i Moskës ishte të siguronte “rezultatin e preferuar” rus në garën ndërmjet Donald Trumpit dhe Kamala Harrisit, ka shtuar ai.

Garland ka thënë se Departamenti i Thesarit dhe Departamenti i Shtetit menjëherë do t’i ndërmarrin aksionet e tyre si pjesë e përpjekjeve të administratës së presidentit Joe Biden për t’iu “kundërpërgjigjur në mënyrë agresive” fushatës së Kremlinit.

Zyrtarët amerikanë kanë paralajmëruar se një numër në ngritje i armiqve të jashtëm janë munduar të ndikojnë në zgjedhjet amerikane prej përpjekjeve të njohura të Rusisë në zgjedhjet e vitit 2016.

Në qershor, një grup hakerësh të lidhur me Qeverinë iraniane me sukses ia dolën të thyenin fushatën e Donald Trumpit, kandidat republikan për president, dhe morën dokumente të brendshme.

Një muaj më vonë, Departamenti i Drejtësisë bëri të ditur konfiskimin e emrave të dy domenëve dhe zbardhi si ishin më shumë se një mijë llogari mediash sociale që operoheshin prej aktorëve rusë për të krijuar përmbajtje mediash sociale me Inteligjencën e avancuar Artificiale për të përhapur dezinformata.

Hulumtuesit kanë dëshmuar se ka një operacion në ngritje të ndikimit kinez që synon infiltrimin dhe përhapjen e informacioneve të paverifikuara në mediat sociale për politikën amerikane.

Presidenti kinez, Xi Jinping, është zotuar në samitin e vjetëm me presidentin Biden se vendi i tij nuk do të përzihej në zgjedhjet amerikane./BBC

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Detaje të reja janë zbuluar në lidhje me 14-vjeçarin Colt…