Sofizmi i Albin Kurtit dhe e vërteta si paradoks

05 shtator 2024 | 08:55

Dastid Pallaska

Sofizmi paraqet një “argument” të pavërtetë, të cilin autori e di që është i pavërtetë dhe – përkundër kësaj – e përdorë për të vënë të tjerët në lajthitje.

Në fjalor, sofizmi përkufizohet si “argument i zgjuar por i pavërtetë që përdoret për të mashtruar të tjerët me qëllim.”

Në thelb, sofizmi është manipulim.

Edhe pse sofizmi është i pranishëm kudo, përfshirë shkencën, sot atë e gjejmë në versionin më të keq tek politikanët manipulues dhe popullistë që shtrembërojnë paturpësisht të vërtetën për të ardhur dhe mbetur në pushtet.

Për shembull, në zgjedhjet e 14 shkurtit, Albin Kurti – me sofizëm – i bindi mbi 50% të votuesve se periudha kohore 1999 – 2021 ka qenë më e keqja në historinë e Kosovës. Kjo përkundër faktit të pamohueshëm se gjatë kësaj periudhe vendi ishte çliruar dhe pavarësuar për herë të parë në historinë e vet.

Pre e kësaj gënjeshtre nuk ishin vetëm votuesit por edhe partitë opozitare, të cilat e pranuan sofizmin e Albin Kurtit me “arsyetimin” se ekspozimi i gënjeshtrës së tij iu humbë vota. Opozita ende nuk po arrinë të këndellet nga ky gabim i rëndë.

Ky shembull tregon se efekti më i dëmshëm i sofizmit nuk është propagimi i gënjeshtrave por shndërrimi i të vërtetës në paradoks, diçka e pabesueshme edhe pse e vërtetë.

Sofizmi është i rrezikshëm edhe për shkak se i bën sofistët të duken të mençur edhe pse nuk janë. Me sofizëm, një mashtrues ordiner mund të duket intelektual apo shkencëtar apo politikan vizionar.

Edhe pse sofizmi i Albin Kurtit nuk ishte aq i zgjuar, ai e ka përdorur me mjeshtëri këtë instrument të manipulimit për të ardhur në pushtet. Kjo edhe për shkak se sofizmi i tij pothuajse kaloi pa asnjë rezistencë nga opozita e organizuar politike në vend.

Fitimi i lehtë i betejave politike me opozitën që iu nënshtrua sofizmit të tij, e nxiti Albin Kurtin që sot sofizmin ta praktikojë në një shkencë ekzakte, matematikë, për të cilën kishte pretenduar se është “gjeni.”

Për dallim nga kundërshtarët e tij politikë, ekspertët matematikorë e ekspozuan sofizmin e tij shumë shpejtë dhe pa ekuivoke. Kjo e detyroi Albin Kurtin ta pranojë përpjekjen për manipulim, diçka që – me gjasë – po e bën për herë të parë.

Partitë opozitare duhet të marrin mësim nga matematicientët që ekspozuan sofizmin e Albin Kurtit sot. Kjo jo vetëm për të fituar një votë më shumë por për të parandaluar të vërtetën të shndërrohet në paradoks.

Tani që për 5 vite jemi ngopur me sofizëm dhe gënjeshtrat që vijnë me të, qytetarëve duhet ofruar e kundërta e propagandës së Albin Kurtit. E VËRTETA, me të gjitha pjesët e pakëndshme të saj.

Çmontimi i sofizmit të Albin Kurtit duhet të filloj nga gënjeshtra më e madhe e tij, se periudha kur vendi u çlirua dhe pavarësua ishtë më e errëta në historinë tonë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Federata e Futbollit e Kosovës ka reaguar përmes një komunikate…