Nagavci: Edukimi në fëmijërinë e hershme, tregues kyç i shëndetit dhe ekonomisë së një vendi

05 shtator 2024 | 11:39

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka thënë se edukimi në fëmijërinë e hershme, është tregues kyç i shëndetit dhe ekonomisë së një vendi, ndërsa e konsideron edhe si faktor thelbësor në zhvillimin e qëndrueshëm.

Në lansimin e Skemës së Kuponëve “Mbështetje për pjesëmarrjen e fëmijëve të cenueshëm në shërbimet e kujdesit dhe fëmijërisë së hershme”, që financohet nga Fondi i Mësimit të Hershëm i Bankës Botërore, Nagavci ka thënë se kjo ditë shënon një etapë të rëndësishme në punën drejtë ofrimit të shërbimeve në fëmijërinë e hershme.

“Jemi bashkërisht në këtë ditë kur po shënojmë një etapë të rëndësishme në punën drejtë ofrimit të shërbimeve në fëmijërinë e hershme, e cila prek drejtpërdrejt jo vetëm fëmijët dhe i ndihmon ata në zhvillimin e tyre në të ardhmen por edhe familjet dhe shoqërinë në zhvillimin e saj. Po fillojmë një fazë të re, një risi e cila ka potencialin të ketë rezultate konkrete dhe të dukshme brenda një periudhe të shkurtër, duke u shtrirë tek të gjitha familjet e reja që kanë nevojë për mbështetje institucionale”, ka thënë Nagavci, teksa përmend edhe miratimin e Ligjit për fëmijërinë e hershme, të miratuar në Kuvendin e Kosovës.

“Zotimet tona që nga marrja e mandatit janë bërë pjesë e programit qeverisës dhe bashkëpunimi ndërsektorial në të gjitha instancat relevante po ashtu edhe bashkëpunimi me agjencitë, organizatat dhe partnerët tanë, andaj edhe me ritme intensive të punës, miratuam në Kuvendin e Kosovës Ligjin për Fëmijërinë e Hershme, një ligj ky që u pasua në hulumtime dhe raporte që dëshmojnë që sa më herët që fillon edukimi dhe përfshirja e fëmijëve në edukimin e tyre, aq më të suksesshëm bëhen edhe individët kur të rriten. Në mes të vlerësimeve, ishte edhe vlerësimi nga organizatat ndërkombëtare e cila konsideron që edukimi në fëmijërinë e hershme si tregues kyç të shëndetit dhe ekonomisë së një vendi dhe si faktor thelbësor në zhvillimin e qëndrueshëm”, është shprehur Nagavci. /EO

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka…