‘Vjelja e Rrushit Kosova 2024’ në Suharekë, Shahini: Kosova ka nevojë për mbështetje të prodhimit

05 shtator 2024 | 12:33

Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) dhe “Agro Kosova Holding” në Suharekë kanë mbajtur aktivitetin tradicional “Vjelja e rrushit Kosova 2024”.

Aktiviteti me moton: “Unë konsumoj produkte vendore, po ju?”, ka mbledhur kultivues të rrushit nga niveli lokal dhe përfaqësues të bizneseve vendore.

Kryetari i AKB-së, Agim Shahini, ka thënë se tashmë ky është një event tradicional, me ç’rast i ka bërë thirrje qeverisë të fokusohet më shumë në përmirësimin e kushteve për investime të huaja dhe për prodhuesit vendorë.

“Qëllimi i këtij aktiviteti është që të promovojmë produktet e Kosovës, t’i promovojmë prodhimet ‘Made in Kosova’, sepse ‘Agro Kosova Holding’ ka një asimetri të zgjeruara të prodhimeve agrare dhe finale duke përfshirë këtu rrush, qershi, dardhë, mollë e perime të ndryshme, por edhe si podrum i verës ‘Theranda’ e cila ka shumë produkte cilësore. Produktet e kësaj kompanie dhe prodhimet e Kosovës tashme janë në tavolinat e Kosovës por edhe në tërë Ballkanin dhe Evropën. Është një fakt i mirë që është një kompani e vetme që eksporton në disa vende të Ballkanit. Dhe  është një nga importuesit më të mëdhenj të këtij produkti nga Kosova. Vendi ynë ka nevojë për mbështetje të prodhimit. Shërbimet dhe prodhimet e Kosovës do të mund të ngritin cilësinë e jetës së qytetarëve të Kosovës nëse qeveria do të krijojë hapësirë më të madhe për të mbështetur prodhuesit vendorë”, ka thënë Shahini.

Ndërsa pronari i “AgroKosova Holding”, Haziz Tafaj, ka bërë me dije se pavarësisht se ka qenë një vit i vështirë kanë arritur që të prodhojnë rrush të mirë dhe për të ruajtur traditën e zhvilluar që nga gjeneratat tona të hershme.

Kryetari i Suharekës, Bali Muharremaj, ka theksuar se komuna që udhëheq shquhet për prodhimtari dhe suksese në shumë fusha. “Jam i interesuar që bizneset e Suharekës të ecin përpara”, ka thënë ai.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
“Shtëpia e Pavarësisë Dr. Ibrahim Rugova” ka filluar të kyçet…