Largimi i masave ndaj Kosovës, BE: S’ka asgjë të re

06 shtator 2024 | 08:33

Megjithëse janë bërë disa muaj nga raporti i Josep Borrellit, i cili rekomandon largimin e masave ndaj Kosovës, të cilat janë vendosur në verën e 2023-së, Bashkimi Evropian nuk ka bërë lëvizje në këtë drejtim.

Raporti favorizues i Borrellit ndaj Kosovës i ishte dorëzuar vendeve më 18 qershor.

Nga Bashkimi Evropian kanë thënë se nuk ka asgjë të re në këtë drejtim dhe se diskutimet për heqjen e masave vazhdojnë.

“Nuk ka asgjë të re për t’i shtuar asaj që kemi komunikuar në javët e kaluara – diskutimet për heqjen e masave për Kosovën vazhdojnë mes shteteve anëtare në Këshill”, thuhet në përgjigjen e BE-së për Telegrafin.

Ndryshe, zyrtarë shtetërorë kanë deklaruar disa herë se Kosova ka plotësuar të gjitha kriteret për largimin e masave.

Ndër masat që janë vendosur nga BE-ja janë pezullimi i punës së trupave të zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit, po ashtu është suspenduar puna në miratimin apo aprovimin e fondeve për IPA 2024.

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi po ashtu kishte njoftuar se janë pezulluar aprovimet e reja për projekte, por nuk është pezulluar asnjë projekt i BE-së që ka qenë duke u zbatuar.

Kosova nga vera e vitit 2023 ka qenë në masa ndëshkuese nga Bashkimi Evropian.

Masat ishin vendosur, pasi sipas BE-së, Kosova nuk kishte vepruar mjaftueshëm për të qetësuar situatën në veri.

Në maj të vitit 2023, situata në veri u tensionua pas hyrjes së kryetarëve shqiptarë në objektet komunale.

Kosova “u detyrua” të mbante zgjedhje të parakohshme në katër komunat në veri, Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, kërkesë kjo e BE-së, por që sërish u bojkotuan nga qytetarët serb, pas thirrjes për bojkotim nga Lista Serbe.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Bashkimi Evropian do të dërgojë sot në Prishtinë përfaqësuesin e…