“Po forcojmë sigurinë në Evropë”, Valtonen: Kosova e ka vendin e merituar në BE

07 shtator 2024 | 10:11

Kryediplomatja finlandeze, Elina Valtonen thotë se Finlanda e mbështet Kosovën në rrugën e integrimit euroatlantik dhe se po forcojnë sigurinë në Evropë.

Në një intervistë për KosovaPress, Valtonen tha se Kosova e ka vendin e merituar në BE dhe se presin reforma të shpejta e stabilitet në gjithë Ballkanin Perëndimor.

Kur situata globale është e mbushur me sfida të ndryshme, nga konflikti në Ukrainë dhe kërcënimet e sigurisë deri te ndryshimet klimatike, Valtonen ndan perspektivën e Finlandës për prioritetet e politikës së jashtme dhe të sigurisë.

Flet për rolin e Finlandës në NATO dhe rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar për adresimin e ndryshimeve klimatike.

“Ne qëndrojmë krah Kosovës, e shohim se Kosova e ka vendin e merituar në Bashkimin Evropian dhe në të gjitha organizatat e tjera, dua të them se jemi shumë pro integrimeve euroatlantike të Kosovës, dhe me të vërtetë ne dëshirojmë për të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor që të ketë reforma të shpejta dhe gjithashtu stabilitet, që do të mundësonte anëtarësimin e rajonit në BE”, thotë ajo.

E pyetur për deklaratat e ministrit rus, Sergei Lavrov për luftën e Tretë Botërore, krediplomatja finlandeze thotë se shpërfaqin retorikën agresive të Rusisë. Nënvizon se do t’i kërkojnë Rusisë t’i japë fund luftës në Ukrainë.

“Ne jemi të shqetësuar nga qëndrimi agresiv i Rusisë, padyshim që lufta në shkallë të gjerë që po bëjnë kundër Ukrainës, por edhe rritja e ndërhyrjeve hibride, kryesisht në të gjithë Evropën, por edhe gjetkë, le të themi në Afrikën Perëndimore…Padyshim që askush në botë nuk shpreson apo dëshiron që lufta botërore të jetë afër, dhe mendoj se kjo është një retorikë shumë agresive nga rusët me të cilët jemi mësuar gjatë viteve. Duke e thënë këtë, natyrisht, ne nuk neglizhojmë asnjë kërcënim që vjen nga Rusia apo diku tjetër, por ne do t’i kërkojmë përsëri Rusisë të tërhiqet nga Ukraina dhe të fillojë të jetojë në paqe me fqinjët e saj dhe pjesën tjetër të botës”, thotë kryediplomatja finlandeze.

Sipas ministres së Jashtme finlandeze, angazhimi në mbrojtjen e vlerave themelore si shteti i së drejtës, demokracia dhe të drejtat e njeriut, siguria dhe paqja në Evropë, janë prioritetet kryesore të vendit të saj.

“Prioritetet kryesore janë vërtet të bazuara në vlerat, të cilat ne i kemi mbajtur të shenjta gjatë gjithë kohës, që janë shteti i së drejtës, demokracia, të drejtat e njeriut dhe barazia. Bazuar në këto, ne zbatojmë politikën tonë kombëtare të jashtme dhe të sigurisë, bazuar padyshim në rrethanat në të cilat jetojmë, dhe për fat të keq lufta që po zhvillohet në Evropë në mënyrë kaq efektive, lufta e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës po dominon shumë edhe mjedisin tonë të sigurisë, kështu që, rritja e mbrojtjes dhe parandaluesve tanë së bashku me aleatët dhe partnerët është padyshim një prioritet. Gjëja e dytë është synimi për paqen dhe stabilitetin në të gjithë Evropën, në mënyrë që të jemi në gjendje të sigurojmë një të ardhme për të gjithë njerëzit bazuar në vlerat e demokracisë dhe lirisë, këto janë elementet thelbësore të asaj politike të sigurisë së huaj”, thotë ajo.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Përfaqësuesi i tashëm i posaçëm i BE-së në këtë dialog…