Kërkesa e pushtetit ndaj ndërkombëtarëve: Ndaleni Vuçiqin para se të nis luftë

07 shtator 2024 | 20:52

Disa ditë më parë serbët paralajmëruan bllokimin e kufijve me Kosovën për të mos lejuar qytetarët të udhëtojnë nga Kosova për në Serbi. Të premten pas orës 18:00 situata filloi të ndërlikohet në pikat kufitare në Bërnjakë dhe Merdarë, ku Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës, mbylli këto dy pika kalimi kufitar, të cilat u hapën pasditen e së shtunës. Megjithatë pushteti kërkoi një gjë – reagimin e ndërkombëtarëve.

Pushteti ka kërkuar nga aleatët ndërkombëtarë që të reagojnë në lidhje me situatën e krijuar në kufijtë e Kosovës me Serbinë.

Menjëherë pas mbylljes së dy pikave kufitare, reagoi kryediplomatja Donika Gërvalla, duke u bërë thirrje BE-së dhe ShBA-së që të reagojnë kundër hapit të ardhshëm të presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.

Duke folur për zhvillimet e sotme në Bërnjak, ajo fillimisht ka thënë:

Përtej kufirit në Bërnjak, serbët e maskuar po ndalojnë makinat me regjistrim gjerman dhe nuk i lënë shqiptarët të kalojnë. Policia e Vuçiqit po e mbështet atë përshkallëzim racist, duke parë dhe duke mos bërë asgjë”.

Tutje, Gërvalla ka shtuar se Vuçiq po mashtron Gjermaninë dhe BE-në, dhe se shpreson që kjo e para, të kërkojë lëvizjen e lirë, pavarësisht litiumit.

Vuçiq vazhdon të mashtrojë Gjermaninë dhe BE-në, duke vazhduar eskalimin. Shpresojmë që Gjermania të kërkojë lëvizjen e lirë, pavarësisht litiumit.” – tha ajo.

Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës kërkoi veprim nga BE e ShBA që “Vuçiq të ndalet para se të nis luftë”.

Ndërsa sot, gjatë përurimit të shtatores së presidentit Ibrahim Rugova në Podujevë, presidentja e vendit, Vjosa Osmani komentoi mbylljen e pikave kufitare, Merdarë dhe Bërnjakë.

Osmani, ka akuzuar shtetin serb për bllokimin e rrugëve në afërsi të kufirit më Kosovën.

Ajo ka bërë me dije se kjo tregon se Serbisë nuk i intereson lëvizja e lirë.

E para e vendit ka kërkuar nga aleatët që të reagojnë në lidhje me këto bllokime, të cilat po e pengojnë lëvizjen e lirë të qytetarëve.

I bëj thirrje aleatëve tanë që të dalin me qëndrim publik lidhur me këto shkelje të vazhdueshme nga ana e Serbisë, të cilët po shkelin të drejtat e qytetarëve tanë dhe të cilët kanë tendencë që ta destabilizojnë paqen dhe sigurinë, jo vetëm në Kosovë, por edhe në Ballkan”, ka thënë Osmani.

Edhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, ka shkruar një status, në të cilin ka kritikuar opozitën dhe Bashkimin Evropian.

Bajqinovci ka shkruar se nuk ka lexuar asnjë shkrim nga BE-ja dhe opozita për “bllokimin e pikave kufitare nga ana e Serbisë”.

Tutje, ai ka shkruar se BE-ja nuk flet kur bëhet fjalë për Kosovën.

Nuk lexova asnjë reagim apo dënim nga Bashkimi Evropian apo nga opozita për bllokimin e pikave kufitare, nga ana e serbisë për qytetarët shqiptarë nga ekstremistët serbë, të cilët veprojnë nën pranin e policisë pra me lejen e shtetit serb. Në çdo pikë kufitare, qytetarët e e Kosovës, të pajisur me dokumente të ligjshme të Republikës së Kosovës, po kthehen mbrapsht dhe pengohen të kalojnë nga shteti serb” – ka shkruar Bajqinovci. Nacionale.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një shtetas kosovar ka humbur jetën pasi pësoi arrest kardiak…