CIA dhe MI6 në një deklaratë të rrallë të përbashkët: Rendi botëror ‘nën një kërcënim që nuk e kemi parë që prej Luftës së Ftohtë’

07 shtator 2024 | 21:15

Rendi ndërkombëtar botëror është i kërcënuar në një mënyrë që nuk e kemi parë që prej Luftës së Ftohtë. Paralajmërimi është bërë nga krerët e shërbimeve amerikane dhe britanike të inteligjencës, CIA dhe MI6 në një deklaratë të rrallë të përbashkët.

Krerët e dy prej agjencive më të mëdha në botë të spiunazhit kanë deklaruar se të dyja vendet që përfaqësojnë qëndrojnë së bashku për t’i bërë kontrast politikës së sertë të jashtme të Rusisë dhe luftës së Putin në Ukrainë.

Në një artikull të përbashkët të publikuar në “Financial Times”, drejtorët William Burns (CIA) dhe Sir Richard Moore (MI6) shprehen se e panë luftën në Ukrainë që po afrohej dhe mundën të paralajmëronin komunitetin ndërkombëtar, pjesërisht duke publikuar sekrete në ndihmë të Kievit.

Ata kanë deklaruar gjithashtu se një punë e madhe po bëhet për të “penguar fushatën e papërgjegjshme të sabotazhit” të ndërmarrë nga Rusia në Evropë, për të çtensionuar konfliktin Izrael-Hamas dhe për të asgjësuar rilindjen e Shtetit Islamik.

“Nuk ka asnjë dyshim se rendi ndërkombëtar botëror, ai sistem i balancuar që çoi drejt paqes relative dhe stabilitetit që solli rritjen e standardeve të jetesës, mundësive dhe prosperitetin, është nën një kërcënim të cilin nuk e kemi parë që prej Luftës së Ftohtë”, kanë thënë njëzëri dy drejtorët në artikullin e përbashkët.

Sipas tyre, një nga mënyrat e paprecedenta të kërcënimit me të cilin përballen të dyja vendet është lufta në Ukrainë, e cila ndodhet në vitin e tretë.

“Vazhdimi i kursit të nisur është më jetik se kurrë”, kanë thënë Mur dhe Bërns, duke shtuar se mbështetja për Ukrainën do të vazhdojë dhe se presidenti Putin nuk do t’ia arrijë qëllimit të tij.

“Përveç Ukrainës, ne vazhdojmë të punojmë së bashku për të frenuar fushatën e papërgjegjshme të sabotimit të ndërmarrë nga inteligjenca ruse në Evropë dhe përdorimin cinik që ajo i bën teknologjisë, për të përhapur gënjeshtra dhe keqinformim, për të ngritur barriera mes nesh”, kanë vijuar krerët e agjencive të spiunazhit.

Ata kanë paralajmëruar më tej se, të dyja shërbimet e inteligjencës shohin edhe rritjen e Kinës si sfidën më të madhe gjeopolitike të shekullit dhe kanë shtuar se janë riorganizuar për t’i kushtuar vëmendje këtij problemi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pas pranisë së kryeministrit Albin Kurti në inagurimin e shtatores…