​Kosova ende pa kryeprokuror të ri

08 shtator 2024 | 09:13

Pozita e Kryeprokurorit të Shtetit për më shumë se dy vite po vazhdon të udhëhiqet me ushtrues detyre. E urgjente po konsiderohet hapja e konkursit të ri për këtë pozitë nga ana e Këshillit Prokurorial të Kosovës.

Nga ky institucion deklarojnë se nuk kanë marrë ende asnjë përgjigje nga zyra e Presidentes pas ridërgimit të emrit të kandidatit, Blerim Isufaj, ndonëse kjo e fundit në tetorin e vitit të kaluar nuk e kishte dekretuar Isufajn si Kryeprokuror të Shtetit, me arsyetimin se ka pasur disa shkelje ligjore në procesin e përzgjedhjes së tij.

KosovaPress ka pyetur në Këshillin Prokurorial të Kosovës se nëse pritet të hapet konkursi i ri për përzgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit, por në përgjigjen dhënë nuk është përmendur fare kjo cështje.

Sipas Bedri Gashit i cili ushtron detyrën e udhëheqësitë të Njësisë për Komunikim Publik në KPK, ky institucion i drejtësisë nuk ka marrë asnjë përgjigje nga presidenca.

“Ju njoftojmë se Këshilli Prokurorial nuk ka marrë asnjë përgjigje nga Presidenca dhe se do t’iu mbajmë të informuar në kohë reale për hapat e mëtejshëm”, ka thënë ai për KosovaPress.

Por janë organizatat e shoqërisë civile ato të cilat për përzgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit, po kërkojnë konkurs të ri dhe proces të emërimit me integritet.

Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësisë (IKD), Ehat Miftaraj u shpreh se është fatkeqësi se si deri më tani sistemi prokurorial i Kosovës nuk ka bërë asnjë veprim në drejtim të zgjedhjes së Kryeprokurorit të ri.

Sipas tij, ky mosveprim përqon mesazhin se KPK, po e keqpërdorë pavarësinë e saj ligjore dhe kushtetuese.

“Është problematike për faktin se ka mungesë të theksuar të integritetit, të llogaridhënies dhe të sistemit prokurorial të Kosovës të cilat fatkeqësisht edhe përkundër faktit që tanimë procesi është kthyer në pikën zero, nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim për të vazhduar me procesin e ri, respektivisht për plotësim- ndryshimin e kornizës ligjore, akteve nënligjore të sistemit prokurorial dhe për shpalljen e konkursit….Përqon mesazhin se këto institucuionet e pavarura si KPK nuk i raportojnë dhe nuk janë llogaridhënëse ndaj ndonjë institucioni tjetër të pushtetit.

Në njëfarë mënyre po e keqpërdorin pavarësinë që u ka ofruar Kushtetuta dhe ligji, po vazhdon avazi i vjetër, ku një grup i personave në sistem prokurorial vazhdojnë privilegjet e tyre, por që fakteqësisht nuk është që ofrojnë ndonjë zgjidhje apo nuk është që dëshmojnë vullnet për t’i ushtruar kompetencat dhe përgjegjësitë me anë të ligjit për të forcuar sundimin e ligjit në këtë vend”, theksoi ai.

Për njohësinë e sistemit të drejtësisë, Ehat Miftaraj, KPK ka interes që këtë pozitë të rëndësishme për institucionet e drejtësiss ta mbaj me ushtrues detyre.

“Ky Këshill Prokurorial ka interes që ta ketë një ushtrues detyre edhe e obligon mos ta përdorë fjalën, e shantazhon e ka një votë në Këshill të një personi i cili është përkohësisht dhe i cili në ccdo moment mund të ndërrohet nga Këshilli Prokurorial…Është e paimazhinueshme që vet Këshilli Prokurorial i Kosovës në njëfarë mënyre e shkel Kushtetutën, e shkel ligjin dhe lë pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit me ushtrues detyre për më shumë se dy vite.

Kryesuesit i KPK-së, nëse do të kishte vetëm pak integritet, nëse do të ishte i pavarur në ushtrimin e funksioneve të tij, do të thotë gjëja kryesore do të ishte që ky proces të vazhdoj. Por, si duket edhe kryesuesi i ri është në kuadër të atyre anëtarëve të KPK-së, i takon një klike që me interes ka ta mban këtë status quon në sistem prokurorial dhe në një njëfarë mënyre t’i gëzojnë privilegjet”, deklaroi Miftaraj.

Në anën tjetër edhe Levik Rashiti nga Grupi për Studime Juridike dhe Poltike, po kërkon nga Këshilli Prokurorial që përzgjedhjen e Kryeprokrurorit të Shtetit ta kenë prioritet.

Rashiti thekson se procesi i përzgjidhjes duhet të nis nga fillimi.

“Procesi duhet të filloj nga fillimi sërish për zgjedhjen e kryeprokurorit të ri dhe të kemi kryeprokuror të rregullt me mandat të rregullt… Vetë fakti që nuk kemi një proces të rregullt, është mangësi kushtetuese dhe një ushtrues detyre mund ta bëjë punën edhe shumë mirë, dhe mund të ketë edhe suksese të larta, por vet fakti që nuk është kaluar nëpër një procedurë të tillë, nuk ka kaluar nëpër këta filtra, tregon shumë edhe për rëndësinë e kësaj.

Është në domenin e Këshillit Prokurorial të Kosovës të veproj dhe është e quditshme që nuk kemi veprime të mëtutjeshme për të filluar me një process të ri, i cili është i domosdoshëm….Duhet që ky proces të jetë shumë më prioritar sesa që është, dhe pra të kemi një proces më në fund të rregullt”, theksoi Rashiti.

Agjencia e Lajmeve KosovaPress lidhur me pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit, e cila po udhëhiqet me ushtrues detyre që nga prilli i vitit 2022 ka dërguar pyetje edhe në Zyrën e Presidentes së Kosovës, por deri në momentin e publikimit të shkrimi nuk ka pranuar ndonjë përgjigje.

Ndryshe, në prill të vitit 2022, Aleksandër Lumezi e ka përfunduar mandatin e tij si Kryeprokuror i Shtetit, dhe nga ajo kohë e deri më sot këtë pozitë po e ushtron, Besim Kelmendi. /kp/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Irani besohet t’i ketë dërguar Rusisë mbi 200 raketa tjera…