Rama: Do të fitojmë sërish, PD-ja nuk do të marrë më shumë mandate se në vitin ’97

08 shtator 2024 | 14:58

Nga Asambleja e Partisë Socialiste (PS) që po mbahet në Durrës, kryeministri i Shqipërisë, njëherësh kryetari i kësaj partie, Edi Rama, ka deklaruar se PS-ja do të fitojë sërish në zgjedhjet e 2025.

“Disa thonë se ne fitojmë sepse përdorim pushtetin për të marrë votat, madje thonë dhe që ne i blejmë votat. Disa thonë që ne kemi fituar deri tani sepse nuk kemi pasur alternativë, madje thonë se ofrojnë ata vetë alternativa të reja. Të tjerë shkojnë dhe më tutje duke thënë se ne fitojmë sepse sipas tyre Shqipëria është diktaturë dhe ngaqë ndërkombëtarët mbyllin sytë përpara së keqes së madhe që ne jemi, ngaqë të huajt duan stabilitet, jo demokraci në Shqipëri, ngaqë ne i korruptojmë, ngaqë Evropa nuk na respekton, ngaqë Amerika na do për kukulla të saj në rajon e ngaqë të tjera budallallëqe të guximshme si këto”.

“Po, vërejeni me vëmendje të gjithë këta bashkohen nga rrugë të ndryshme në pikën se në Shqipëri nuk ka zgjedhje përderisa ato i fitojmë gjithnjë ne. Ama nga ana tjetër të gjithë këta bashkë janë njësoj, sepse i përkasin të njëjtës rrugë të vjetër dhe mendësi të ndryshkur ballkanike, otomane po të doni. Janë aq njësoj në disa gjëra sa të thjeshta aq edhe kuptimplota, saqë çdo njeri arsyeshëm që sheh me sytë e vet, dëgjon me veshët e vet dhe logjikon me mendjen e vet e kupton fare kollaj sepse ne fitojmë dhe do të fitojmë përsëri, ndërsa ata kundërshtarët tanë, qofshin të vjetër a qofshin të rinj në moshë vetëm humbin dhe do të humbin përsëri”, ka thënë Rama.

Madje, Rama ka thënë se Partia Demokratike (PD), nuk do të marrë më shumë mandate seç ka marrë në vitin 1997.“Ne zgjedhjet e ardhshme PD zor se do të marrë më shumë mandate se në vitin 1997”, tha ai. “I vetmi ndryshim është se atëherë e tërë Shqipëria ishte në humnerën që ra ajo parti, ndërsa sot humnera është  destinacion ekskluziv i vetëm asaj partia, një destinacion i zgjedhur me vullnet të lirë prej udhëheqësve udhëprerës të saj”,  ka thënë Rama.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pavarësisht rritjes së kërkesave për transparencë, Policia në Sarajevë ka…