KOMF-i: Arsimi në rënie të lirë

09 shtator 2024 | 13:59

Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF, ka mbajtur konferencë për medie dedikuar arsimit në Kosovë: “Arsimi në rënie të lirë”.

Paneli i përbërë nga anëtarët e KOMF-it: Remzije Krasniqi, presidente e KOMF-it, Lulavere Behluli, Eldin Gashi dhe Marija Vuksani adresuan qëndrimet për gjendjen e arsimit në Kosovë, duke u fokusuar në aspektet e cilësisë në arsim, mbrojtjes së fëmijëve në shkolla, gjithëpërfshirjes, parandalimit të braktisjes, si dhe risive e sfidave të modelit të mësimit tërë-ditor.

Në sistemin e arsimit parauniversitar në Kosovë janë të regjistruar gjithsej 314,006 nxënës. Ky sistem mbështetet nga një personel arsimor prej 27,710 individësh, nga të cilët 22,836 janë mësimdhënës/e. Numri i institucioneve edukative-arsimore publike në vend është 1,036.

Sipas këtij paneli arsimi parauniversitar në Kosovë përballet me sfida dhe probleme të shumta që ndikojnë negativisht në cilësinë e arsimit.
Kalueshmëria në Testin e Arritshmërisë për këtë vit është vetëm 52.1%.

Sipas raportit monitorues të KOMF-it “Karta e vlerësimit”, puna e institucioneve publike arsimore në Kosovë është vlerësuar me notën 2.5 në një shkallë nga 1 deri në 5. Për më tepër, Programi për Vlerësimin Ndërkombëtar të Nxënësve e renditi Kosovën në vendin e 76 nga 80 shtete, duke treguar një nivel të ulët të cilësisë në arsim.

Faktorët që kontribuojnë në cilësinë e ulët të arsimit në Kosovë përfshijnë: planprogrami i mbingarkuar; cilësia e mësimdhënies; numri tejet i madh i nxënësve në klasa, sidomos në qytete; shkollat, klasat me numër shumë të vogël të nxënësve, duke përfshirë edhe klasat e kombinuara në vendet rurale; qëndrimi për kohë të shkurtër në shkolla; mungesa e infrastrukturës adekuate; mungesa e aktiviteteve ekstra kurrikulare; menaxhimi jo i mirë i shkollave; politizimi i kuadrove arsimorë; mungesa e bashkëpunimit ndërmjet prindërve, mësimdhënësve dhe nxënësve; llogaridhënia e ulët dhe ndërprerjet e shumta të procesit mësimor (përfshirë ndërprerjet për shkak të grevave në arsim).

Duke iu referuar raportit monitorues të KOMF-it “Karta e vlerësimit”, krahas cilësisë së ulët në arsim, shkollat publike në Kosovë përballen edhe me vështirësi të tjera sikurse dhuna në shkolla dhe gjithëpërfshirja e ulët. “Shkollat publike në Kosovë nuk e plotësojnë në plotni konceptin e shkollave mike për fëmijë, kjo për shkak të mjedisit të pasigurt dhe jo miqësor, infrastrukturës së papërshtatshme, qasjes së mësimdhënësve, mungesës së personelit profesional pedagogjik dhe psikologjik në shkolla, mungesës së bashkëpunimit të mirëfilltë me prindër, etj.

Sipas Policisë së Kosovës, ka pasur rritje të madhe të incidenteve të dhunës në shkolla, krahasuar me vitet paraprake. Gjatë vitit 2022 janë raportuar gjithsej 592 raste të incidenteve në shkolla dhe përreth tyre (në diametër shumë të afërt të institucioneve shkollore). Protokolli për parandalimin dhe referimin e dhunës në institucionet e arsimit para-universitar, është duke u zbatuar pjesërisht. Kjo dëshmohet edhe nga numri shumë i vogël i rasteve të dhunës të raportuara në Sistemin e Menaxhimit të Informatave në Arsim – SMIA, ku në vitin shkollor 2022/23 janë raportuar vetëm 44 raste”, ka njoftuar KOMF-i, duke shtuar se edhe pse po bëhen përpjekje të vazhdueshme për të realizuar konceptin e arsimit gjithëpërfshirës, ky proces has në shumë vështirësi pasi Kosova është ende në fazën e krijimit të kulturës dhe praktikës gjithëpërfshirëse, gjë që kërkon burime njerëzore dhe fonde të mjaftueshme.

“Hapa të rëndësishëm janë bërë në avancimin e politikave, duke tentuar përfshirjen e konceptit të gjithëpërfshirjes si pjesë integrale e të gjitha politikave arsimore. Megjithatë, zbatimi i këtyre politikave dhe zhvillimi i mekanizmave që sigurojnë gjithëpërfshirjen mbetet një sfidë e madhe. Vetëm 3,965 fëmijë me aftësi të kufizuara janë të përfshirë në klasat e rregullta. Vetëm 609 shkolla kanë qasje për fëmijët me aftësi të kufizuara. Përfshirja e fëmijëve me aftësi të kufizuara në shkolla është e ulët dhe mësimdhënia nuk bazohet në nevojat individuale të fëmijëve.

Gjithëpërfshirjen e vështirëson edhe më shumë mungesa e stafit profesional dhe mbështetës si asistentët për fëmijë me aftësi të kufizuara. Sfida të tjera për realizimin e arsimit gjithëpërfshirës konsiderohen: trajnimi joadekuat i mësimdhënësve, mungesa e metodave të mësimdhënies gjithëpërfshirëse, mungesa e pajisjeve mbështetëse teknologjike/asistuese, normat dhe paragjykimet, kurrikula dhe faktorët socio-ekonomik”, ka theksuar KOMF-i.

Sipas këtij raporti, shkollat publike kanë po ashtu mungesë të stafit profesional dhe mbështetës sikurse psikologë dhe pedagogë. “Aktualisht në shkolla publike në nivel vendi janë rreth 200 psikologë dhe pedagogë. Marrë parasysh numrin e institucioneve arsimore prej 1,047 konstatohet se as çereku i shkollave nuk kanë psikologë/e të punësuar. Në të shumtën e rasteve, një psikolog mbulon katër shkolla. Përderisa ka komuna që nuk kanë fare psikologë të punësuar në shkolla”, thuhet në këtë raport.

KOMF-i ka dhënë disa rekomandime në raport me ketë gjendje. Të investohet në ngritjen e cilësisë së arsimit përmes, të bëhet krijimi i shkollave mike për fëmijë dhe të rritet gjithëpërfshirja në arsim.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka vendosur që të enjten…