Kurti takohet me një delegacion nga Zvicra

09 shtator 2024 | 15:39

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim një delegacion nga Zvicra që udhëhiqej nga miku i vendit tonë, ish-ambasadori i Zvicrës në Kosovë, Thomas Kolly.

Grupi i cili ka udhëtuar drejt rajonit të Ballkanit Perëndimor në një vizitë studimore, do të qëndrojë në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni të Veriut.

Përgjatë takimit janë cekur tema të ndryshme, me interes për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës.

“Urat e bashkëpunimit mes nesh si shtete por edhe si shoqëri, të cilat kultivohen e thellohen edhe më tej përmes diasporës sonë në Zvicër, u vlerësuan lart nga kryeministri dhe personalitetet e pranishme në takim të cilët mbulojnë fusha të ndryshme, si mjekësia, komunikimi dhe arkitektura. Kryeministri theksoi se diaspora kosovare në Zvicër ka një ndikim të madh, jo vetëm për numrin e saj të madh, por edhe për remitancat, ku mbi 20 për qind e remitancave që vijnë në Kosovë janë nga Zvicra. Kryeministri vuri në pah rolin e rëndësishëm të Zvicrës si një nga vendet e para që njohu pavarësinë e Kosovës, dhe që vazhdon të kontribuojë përmes programeve të Agjencisë Zvicerane për Bashkëpunim dhe Zhvillim (SDC). Ai nënvizoi rëndësinë e sistemit të arsimit dual, ku Zvicra ka luajtur një rol të rëndësishëm në lidhjen e arsimit me tregun e punës, duke ndihmuar në përgatitjen e fuqisë punëtore të re”, ka njoftuar zyra e kryeministrit.

Më tutje është biseduar edhe për përfshirjen e grave në fushat e STEM – shkencë, teknologji, inxhinieri dhe matematikë, ku aktualisht 50 për qind e studentëve në këto fusha janë gra. “Gjithashtu, u diskutua edhe për Strategjinë e Energjisë së Republikës së Kosovës 2022 – 2031, ku ankandi i parë për energjitë e rinovueshme përfundoi me sukses përmes një konsorciumi zvicerano-gjerman.  Kryeministri Kurti i falënderoi pjesëmarrësit për interesin e tyre për ta njohur më thellë e më mirë vendin tonë dhe rajonin e Ballkanit Perëndimor, si dhe shprehu mirënjohje për bisedën e hapur dhe plot shkëmbime të dijes të zhvilluar ditën e sotme”, ka njoftuar zyra e kryeministrit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Policia e Kosovës ka njoftuar për arrestimin e të dyshuarit…