Zyrtarët palestinezë: Të paktën 40 persona të vrarë në Gazë nga sulmi izraelit

10 shtator 2024 | 08:42

Një sulm izraelit në një kamp të mbushur me palestinezë të zhvendosur nga lufta në Gazë, ka vrarë të paktën 40 persona dhe ka plagosur 60 të tjerë, në orët e para të së martës, kanë thënë zyrtarët palestinezë.

Izraeli ka thënë se ka shënjestruar militantë “të rëndësishëm” të Hamasit, deklarata që janë hedhur poshtë prej grupit militant.

Hamasi është grup që udhëheq Gazën, i shpallur terrorist prej Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian.

Ky mund të jetë një prej sulmeve më vdekjeprurëse në Muvasi, një zonë e mbushur me tenda, e cila gjendet afër bregdetit të Gazës, të cilën Izraeli e ka shpallur zonë humanitare për qindra mijëra civilë, që i kanë ikur luftës mes Izraelit dhe Hamasit.

Mbrojtja Civile, e cila është përgjegjëse për operacione të kërkim-shpëtimit në Gazë, ka thënë se ka mbledhur 40 trupa pas sulmit dhe ende është duke kërkuar.

Sipas saj, familje të shumta janë vrarë nëpër tendat e tyre.

Attaf al-Shaar, e cila është zhvendosur prej qytetit jugor të Gazës, Rafah, ka thënë se sulmi ka ndodhur pak pas mesnatës dhe ka shkaktuar zjarr.

“Njerëzit janë djegur në rërë. Atyre u janë mbledhur vetëm copat”, ka thënë ajo për një gazetar të agjencisë së lajmeve Associated Press, në skenën e sulmit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Raporti për vlerësimin mbi performancën e Kuvendit të Kosovës gjatë…