Në Toronto bisedë me një shkodrane

10 shtator 2024 | 09:18

Dibran Demaku

Aeroplani i linjës ajrore Varshavë – Toronto po aterronte në aeroportin e madh në pasditen e 31 majit. Pista e aeroportit si dhe vetë qyteti i Torontos ishin të lagura nga shiu që kishte rënë tërë paraditen. Të afërmit tanë, tek të cilët do të qëndronim për disa ditë, kishin dalë të na pritnin në aeroport. E nesërmja agoi me një qiell të kaltër dhe pa asnjë re dhe nën diellin e një qershorit. Metropoli kanadez shkëlqente me tërë madhështinë e tij. I ndërtuar në brigjet e Liqenit Ontario dhe rreth tij, Toronto ngjante me një qytet përrallor. Si kryeqytet i provincës Ontario me rreth tre milionë banorë, Toronto është qyteti dhe metropoli më i madh i shtetit të Kanadasë. Vetë provinca e Ontarios është ndër provincat më të populluara të Kanadasë, me mbi tetë milionë banorë, nga 34 milionë banorë sa ka shteti kanadez me katërmbëdhjetë provinca. Mbase ky mbipopullim i Torontos dhe i Ontarios vjen edhe për shkak të klimës së butë, por edhe falë liqenit Ontario që, në krahasim me provincat e tjera të Kana­dasë, kanë një klimë më të egër dhe gjatë pjesës më të madhe të vitit janë të mbuluara me borë.

Nga ndërtimet më të reja që shihen në të katër anët e Toron­tos, secili vizitor vjen në përfundim se Toronto është një kantier i pandalshëm ndërtimi. Ngado që të kalosh, nëpër autostradat e gjëra dhe të reja që kalojnë pothuajse nëpër të gjitha pjesët e qytetit, do të shohësh shumëkatëshe që me majat e tyre thuajse prekin qiellin. Krejt e veçantë është qendra e Torontos, aty ku rrokaqiejt bëjnë gara se cili do të jetë më i lartë se tjetri. Nëse Parisi e ka kullën Ajfel të njohur në krejt botën, nëse Londra e ka Rrotën e biçikletës gjithmonë në lëvizje dhe nga e cila mund ta shohësh mbi gjysmën e saj, nëse Nju-Jorku e ka statujën e lirisë, nëse Stambolli e ka urën e njohur të Galla­tës, Toronto e ka CN-Towerin e njohur qysh para se në Dubai të ngrihej kulla mbi tetëqindmetërshe dhe e cila për momentin është maja më e lartë në tokë. Nëse thuhet se vizitori që ka vizituar Parisin dhe nuk është ngjitur në majën e kullës së Ajfelit nuk ka parë dhe shijuar Parisin e vërtetë, nëse thuhet se vizitori që ka vizituar Nju-Jorkun dhe nuk e ka vizituar statujën e lirisë nuk ka parë asgjë, nëse thuhet se vizitori që ka vizituar Londrën nuk është ngjitur në rrotën gjigante të biçikletës gjithnjë në lëvizje nuk e ka parë dhe shijuar Londrën, po ashtu mund të thuhet për vizitorin që ka vizituar Toronton dhe nuk është ngjitur në majën e CN-Towerit.

Ngjitja në majën e CN-Towerit është një ndjenjë dhe një ngjarje e paharrueshme në jetën e njeriut. Nga aty shihet qyteti i Torontos pothuajse si në shuplakë të dorës. Ngjarje dhe ndjenjë e paharrueshme do të mbetet në jetën e secilit kur është ngjitur në kullën e lartë dhe do të shkojë e të ecë mbi platformën me xhama, nga shihet fundi i kullës dhe vetë toka. Secili njeri që ka shkelur për herë të parë mbi ata xhama, sado trim që do t’i ketë thënë vetës, në bren­dësinë e tij do të ketë ndjerë një lloj frike nëse do ta mbajnë peshën e tij ata xhama, që tregojnë një thellësi pesëqind­metërshe. Një ndjenjë të tillë e kam provuar vetë.

Pas zbritjes nga maja e lartë, së bashku me mikpritësit tanë, Faikun, Besën dhe Besartën, ecim këmbë për ta shijuar dhe prekur sa më shumë që të jetë e mundur. Është pasdite vonë dhe dielli ka anuar andej kah perën­dimi dhe nën rrezet e tij qyteti i Torontos ka marrë një pamje magjepsëse që ngjan me ngjyrën e artë. Një pamje magjike që ngjan me ngjyrë të artë ka marrë edhe liqeni i Ontarios nën rrezet e diellit të pasdites.

Sipas mikpritësve tanë, në qytetin e Torontos me rrethinë jetojnë mbi 40 mijë shqiptarë të ardhur nga viset etnike shqip­tare në faza dhe etapa të ndryshme. Nga biseda me ta mësojmë se askush nga shqiptarët e sotëm nuk e di se cili ishte shqiptari i parë që kishte shkelur në Toronto apo në tokën kanadeze. Por, kjo, mbase, nuk ka rëndësi. E rëndësishme është se shqiptarët e “zbritur” në Kanada dhe në Toronto, në cilëndo fazë të “zbritjes” së tyre, falë punës së tyre kanë ndërtuar një jetë të standardit kanadez. Kur ulesh dhe bisedon me ta, gati nga të gjithë do të dëgjosh se ata me punën e tyre kanë blerë apo kanë ndërtuar shtëpitë në të cilat jetojnë. Sipas tyre, biznesi më i njohur me të cilën merren shqiptarët e sotëm me banim në Toronto dhe në Kanada është shitblerja e shtëpive sepse, sipas tyre, nëse e ke blerë një shtëpi vitin e kaluar, nëse e shet atë këtë vit, në konto do të jetë një fitim prej rreth 100 000 dollarësh. Dhe nëse kjo është e vërtetë, për të cilën nuk kemi pse të dyshojmë, shqiptarët me banim në Toronto dhe Kanada do ta kenë zgjedhur biznesin më fitimprurës të mundshëm. Shqiptarët e Torontos dhe të Kanadasë, ashtu si shqiptarët e tjerë në vende të ndry­shme të botës, e kalojnë jetën të shpërndarë e të përçarë! Derisa komunitetet e tjera, ai grek, portugez, italian etj., në qytetin e Torontos kishin themeluar lagje të tëra ku jetonin së bashku, kështu nuk mund të thuhet edhe për shqiptarët. Shqiptarët, secili sipas interesit dhe llogarisë së vet, kishin blerë apo ndërtuar shtëpi në lagje të ndryshme të Torontos, larg njëri-tjetrit. Ky fenomen të bën të bren­gosesh se ata shqiptarë të ngulur nëpër lagje të ndryshme të Torontos, pa asnjë bashkëvendës afër, do të asimilohen shumë shpejt. Kur kësaj t’i shtohet edhe e dhëna tjetër mjaft brengosëse, se në shumë familje shqiptare komuni­kimi në mes të prindërve dhe fëmijëve zhvillohet në gjuhën e vendit, domosdo se brenga e asimilimit të tyre bëhet më e madhe. Përse shqiptarët kanë zgjedhur një rrugë të tillë, të jetojnë të ndarë dhe të shpërndarë gjithandej Torontos, e jo si komunitetet e tjera që kanë krijuar lagje të tëra etnike, nuk di të thotë kush, e për një fenomen të tillë nuk flet asnjë shqiptar. Lind pyetja, athua ne shqiptarët kemi arritur në një fazë të tillë të zhvillimit, ku nuk mund ta durojmë njëri-tjetrin dhe jetën e ndërtojmë larg njëri-tjetrit?! Vite më parë autori i këtij shkrimi e pat takuar në një plazh të Dubrovnikut një shqiptar të Kosovës me banim në Norvegji. Pas përshëndetjes së zakonshme, autori e kishte pyetur shqiptarin e ardhur nga Norvegjia, se a kishte shumë shqiptarë me banim në Norvegji. Shqiptari i ardhur nga Norvegjia njëherë e kishte matur mirë me shikim bashkëbiseduesin, pastaj ishte përgjigjur: Në Norvegji ka shqiptarë sa të duash. Vetëm dua të ta them një fjalë: As nuk bën me ta as nuk bën pa ta! Se çfarë e kishin hidhëruar shqiptarët bashkëvendësin me banim në Norvegji, autori i këtij shkrimi nuk e kishte mësuar asnjë­herë, por përgjigjja e tij për raportin në mes të shqiptarëve linte shumë për të dëshiruar.

Gjatë qëndrimit mbi tri javë në Toronto autori i këtij shkrimi ka takuar një numër të konsideruar shqiptarësh me të cilët ka biseduar për hallet e tyre. Pothuajse secili shqiptar e kishte një tregim të vetin për jetën e vet në Toronto në veçanti dhe në Kanada në përgjithësi. Brenga e tyre kryesore dhe më e madhja ishte se toka e Kanadasë ndodhej shumë larg viseve etnike shqiptare dhe vizavi kësaj edhe vizitat e tyre në trojet etnike shqiptare ishin të rralla. Dhe sipas asaj fjalisë popullores të njohur: sa më larg mendjes, aq më larg zemrës!, ata brengoseshin se mos një ditë harroheshin krejt kush janë dhe nga kanë ardhur.

Siç cekëm më lart, çdo shqiptar me banim në Toronto dhe në Kanada e ka një tregim të vetin. Një të tillë e kishte edhe shkodranja që në Toronto bënte punën e kamer­ieres. E takova rastësisht në një restorant të Torontos ku bashkë me ca mikpritës shkuam të hanim drekë. Derisa ne po prisnim drekën që kishim porositur dhe po bise­donim në gjuhën tonë shqipe, ajo na u afrua: – Ju dëgjova të flisnit shqip dhe u gëzova shumë. Nisi bisedën me ne duke na përshëndetur e dhënë dorën ashtu siç e kemi zakon ne shqiptarët. Pas ca fjalëve të zakonshme, ajo na tregoi emrin, të cilin nuk do ta shkruaj këtu për shkaqe etike, dhe tregoi se ishte nga Shkodra. Në bisedë e sipër, edhe pse ne në fillim thamë se jemi shqiptarë nga Kosova, ajo e pyet autorin e këtij shkrimi: Nga cili qytet i Shqipë­risë së mesme jeni, sepse ju ashtu po e flisni gjuhën? Autori i thotë se është nga Kosova, lindur dhe rritur në një fshat të Kosovës.

Si është e mundur që një kosovar ta flasë kështu gjuhën shqipe të Shqipërisë së mesme?!

Jo gjuhën shqipe të Shqipërisë së mesme, por gjuhën letrare shqipe! – i replikon.

A domethënë ju e keni studiuar gjuhën shqipe?! – pyet me një çiltërsi të jashtëzakonshme dhe vazhdon:- Qen­kemi kolegë, sepse edhe unë kam studiuar Gjuhë Shqipe – dhe fytyrën ia përshkon një tis i hollë dëshpërimi.

Pas pak shpërthen: – E pata studiuar gjuhën shqipe që të bëhesha mësuese në qytetin tim. Dhe u bëra, por na mori në qafë ai socializmi ynë, për të cilin ne krenoheshim dhe thoshim se edhe bar do të hamë e nuk do t’i tradhtojmë idealet e tij. Apo ju kosovarët, nuk keni dëgjuar për paru­llat e socializmit tonë?

Mos na quaj kosovarë, sepse edhe ne jemi shqiptarë ashtu si ju – i thotë një nga ne…

Më falni, por kështu jemi mësuar ne shqiptarët e Shqipërisë t’ju thërrasim ju kosovarëve. A nuk ju quanim juve dikur ‘miqtë kosovarë’, ndërkaq kinezët i quanim ‘vëllezër’?!

Si ia kaloni këtej?- e pyet pastaj autori i këtyre rreshtave. Ndërkaq shkodranja, ish-mësuese e letërsisë në Shkodër, tash kameriere në një restorant të Torontos, përgjigjet: Çfarë të të them?! Apo të të gënjej e të të them mirë?! Çfarë mirëzeza është kjo kur unë e kam lënë mësuesinë dhe këtu, në një qytet të huaj, bëj punën e kamerieres! Mos mendon se kjo punë më jep gëzim. Si koleg i pro­fesionit nuk besoj se nuk ma qan hallin. Të përfundojë një mësuese e letërsisë në kameriere, këtë ia dimë për nder vetëm socializmit tonë, që dikur e ngrehnim në qiell. Ai socializëm na dha dyert e botës, në të cilat dyer kemi përfunduar si pjatalarës. Kjo as nuk është e dinjitetshme as… nuk po di se çfarë të them për veten tonë. Vetëm një gjë di ta them: Na paçin më qafë ata që na sollën në këtë gjendje! Shpirti i tyre mos gjettë paqe as në këtë jetë e as në tjetrën, nëse ekziston një e tillë! – dhe një pikë loti i doli nga sytë dhe iu rrokullis faqeve .

Do të kishim biseduar edhe për shumë gjëra të tjera të jetës me shkodranen, por në restorant u shfaq shefi i saj dhe ajo u detyrua ta linte përgjysmë bisedën e të ikte në punët e veta. Pas ikjes së shkodranes edhe ne dolëm nga restoranti, po mua nuk më hiqej nga sytë loti i saj. Rrëfimi i dhembshëm i shkodranes më shoqëroi edhe në ditët në vijim sa qëndrova në Toronto.

Toronto, 2011

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zyrtarë të instituicioneve të Kosovës kanë paralajëmruar vazhdimin e masave…