Shkëlqimi i Kosovës kundër Qipros, shpresë edhe për ndeshjet e ardhshme

10 shtator 2024 | 15:41

Kombëtarja e Kosovës në futboll dje ka pasur një paraqitje të jashtëzakonshme në ndeshjen e dytë të Grupit 2 në Ligën C të Ligës së Kombeve. Me fitoren e mbrëmshme djelmoshat tanë edhe na gëzuan shumë, edhe na zbutën “mërinë” nga humbja me Rumaninë.
Dardanët shkëlqyen në përballjen me Qipron. Morën tri pikë, shënuan katër gola. Ata dëshmuan se janë të bashkuar dhe të fortë edhe për sfidat më të mëdha në muajit e ardhshëm.
Në ndeshjen e zhvilluar në Qipro kombëtarja jonë dominoi që nga minuta e parë.
Vedat Muriqi shkëlqeu me dy gola, duke konfirmuar edhe një herë se është prej lojtarëve më të mirë.
Në pjesën e dytë shënoi edhe sulmuesi Albion Rrahmani, që është një garanci e madhe për sulmin e Kosovës në vitet e ardhshme.
Trajneri Franco Foda i dha mundësi për lojë edhe Lumbardh Dellovës që arriti të paraqitet mirë dhe të shënojë një gol. Mbrojtësi rahovecas që së fundmi kaloi te CSKA Sofia siguroi se mbrojtja ka lojtarë që ia bëjnë trajnerit edhe më të lehtë zgjedhjen edhe kur në pyetje janë lëndimet apo ndëshkimet me karton.
Krejt në fund duhet vlerësuar debutimin e talentit të spikatur të skuadrës gjermane, VfB Stuttgart, Eliot Bujupi. 18-vjeçari, që falë angazhimit të presidentit të FFK-së, Agim Ademi, pranoi ta veshë fanellën dardane, tashmë është një element shtesë për të ardhmen e kombëtares sonë. Ai deri tash ka qenë pjesë e Kombëtares së Gjermanisë U17 dhe është paraqitur në dhjetë ndeshje. Bujupi u inkuadrua në lojë në minutat e fundit në vend të Lindon Emerllahut, duke shijuar lojën me fanellën e Kosovës e duke bërë paraqitje fantastike.
Ndeshjet e ardhshme pritet të sjellin rezultate edhe më të mira për Kosovën që ka synime të mëdha në këtë edicion të Ligës së Kombeve.
Se Kosova ka kombëtare të mirë dhe të përgatitur, u pa me ndeshjen e zhvilluar me Qipron. Secili lojtar dha maksimumin dhe falë asaj loje ekipore dhe atij angazhimi, rezultati ishte në favorin tonë.
Kombëtarja jonë është më e madhe se secili prej nesh. Bashkë e të unifikuar si kombëtare mund të arrijmë fitore të mëdha. Llafet nëpër kafe dhe televizione kundër njëri-tjetrit nuk japin rezultate as në futboll e as në ndonjë fushë tjetër.

(Mal QORRAJ)

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkrimtari Fahredin Shehu, në vazhdën e punës së tij kreative…