Problemi i veriut është politik, po mbesin pa partneritet dhe pa sovranitet

12 shtator 2024 | 08:28

Kryetari i Partisë Socialdemokrate (PSD), Dardan Molliqaj, ka thënë për Ekonomia Online se problemi në veri të vendit është problem politik e assesi rend dhe ligj.

Në një intervistë për Ekonomia Online, kreu i PSD-së ka thënë se në atë pjesë të Kosovës nuk ka sovranitet dhe as integrim të serbëve. Sovranitetin sipas tij tashmë e ka KFOR-i e cila u vërtetua sipas tij me mos hapjen e Urës së Ibrit.

“Për PSD- në ka qenë gjithmonë e qartë, tash e gati dy vite e gjysmë kur kanë fillu aksionet e para në veri të gjitha një nga një i kemi kundërshtuar për shkak se kemi besuar dhe me të drejtë ka dal ashtu që problemi i veriut është një problem politik, nuk është problëm i rendit dhe ligjit. Sigurisht që rendi dhe ligji ka qenë pjesë e problemit por problemi është politik. Si rezultat i veprimeve të një pas njëshme të Qeverisë së Kosovës në veri, atje kemi kontroll të shtetit të Kosovës, por nuk kemi integrim. Përkundrazi në pikën më të largët ndonjëherë serbët e Kosovës janë afër institucioneve të Kosovës. S’kemi kryetar të Komunave, s’kemi gjyqtarë, s’kemi polic, s’kemi shërbim shëndetësor as asgjë, i cili është i integruar në sistemin e Kosovës. Përkundrazi të gjithë ata që kanë qenë sot nuk janë”.

“Nuk kemi sovranitet në veriun e Kosovës. Kushdo që thotë kështu është duke e mashtru opinionin publik. Sovranitetin në Veriun e Kosovës tashmë e ka KFOR-i dhe kjo është vërtetuar me mos hapjen e Urës, përkatësisht moslejimin e hapjes së Urës nga KFOR-i. Pra, një përgjegjësi e cila nuk do duhej të ishte e KFOR-it, sepse KFOR-i është reaguesi i tretë i sigurisë, e ka ndalu fizikisht Policinë e Kosovës për ta hapur atje, duke treguar që për Bashkësinë Ndërkombëtare Veriu i Kosovës do tretman tjetër politik. Dhe krejt kjo, pra, kontrolli, sovraniteti dhe autonomia është pjesa e tretë”, ka thënë Molliqaj.

Molliqaj ka komentuar situatën në veri të Kosovës, duke thënë se jemi drejt izolimit, pa sovranitet dhe partneritet. Sipas tij, këtë e ka prish kryeministri Albin Kurti.

“Sovranitetin e ka marrë KFOR-i, ndërsa partneritetin e ka prish Kurti. Mos harroni, ne e kemi Qeverinë e Kosovës që është e sanksionuar, përkatësisht nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në anën tjetër e kemi deklarimin e fundit të ambasadorit dhe Ambasadës Amerikane që i ndërpret bashkëpunimet me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Policinë e Kosovës dhe vartësit e saj. Përkatësisht një institucion i cili është ndihmuar fuqishëm në ndërtimin e saj nga Perëndimi, në vecanti nga ShBA, është quajtur i instrumentalizuar. PSD ka qenë e para, jo për të marrë merita por për të paralajmëruar që dërgimi i Policisë së Kosovës në Veri, dhe nganjëherë instrumentalizimi ekskluzivisht ndaj PSD, siç ishte rasti i arrestimit tim tek televizioni T7 që pastaj me vendim të Gjykate u tregu që ishte paligjshëm arrestimi”, u shpreh Molliqaj, teksa kritika ka edhe për “instrumentalizim” të Policisë së Kosovës nga pushteti. Këtë sipas tij e thonë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Sot Shtetet e Bashkuara të Amerikës thonë se Policia e Kosovës është e instrumentalizuar nga pushteti. Vetëm pushtetet jodemokratike instrumentalizojnë institucionet e sigurisë dhe të tjera. Pra, nuk është qëndrim i joni, nuk është qëndrim i yti, nuk është qëndrim i kritikëve, as i Serbisë, është qëndrim i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ka ardhë puna që nuk bashkëpunojnë, ndoshta një ditë do të jenë në lista të zeza”, deklaroi Molliqaj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Koreja e Veriut lëshoi raketa balistike me rreze të shkurtër…