BE-ja e mirëpret ngritjen e aktakuzës për Banjskën

12 shtator 2024 | 14:23

Bashkimi Evropian (BE) e ka mirëpritur vendimin e Prokurorisë së Kosovës për të ngritur aktakuzë kundër disa dhjetëra të dyshuarve për organizim dhe kryerje të sulmit të armatosur ndaj Policisë së Kosovës në fshatin Banjskë në veri të vendit vitin e kaluar, tha të enjten zëdhënësi i bllokut, Peter Stano.

Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi të mërkurën se ka ngritur aktakuzë ndaj 45 personave – në mesin e tyre edhe Millan Radoiçiq – për sulmin e armatosur në Banjskë.

Stano tha se përgjegjësit e sulmit të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë një polic kosovar, do të përballen me pasoja pasi gjyqësori në Kosovë ta shpallë aktvendimin ndaj tyre.

“BE-ja ka bërë thirrje vazhdimisht Serbisë që të gjithë të përfshirët në këtë sulm brutal të nxirren para drejtësisë. Ngritja e aktakuzës do të thotë se procedurat gjyqësore tash do të nisin dhe ne presim të shohim përfundimin e këtij procesi”, tha Stano.

I pyetur se a ka qenë Banjska temë e takimit që ambasadorit të BE-së në Beograd me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të enjten, Stano u përgjigj se BE-ja ia ka përcjellë Serbisë vazhdimisht porosinë e njëjtë, se ajo duhet të bashkëpunojë plotësisht në hetime për t’i sjellë para drejtësisë përgjegjësit për këtë sulm.

“Nuk kemi nevojë për takime të veçanta që të përcjellim qëndrimet e BE-së. Ato dihen dhe janë përsëritur disa herë. Presim që Serbia të bashkëpunojë në hetime për këtë rast dhe, po ashtu, t’i mbajë përgjegjës personat e përfshirë. Këtë ua kemi përcjellë disa herë autoriteteve të Serbisë“, shtoi ai., raporton Rel.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i AKR-së, deputeti, Behgjet Pacolli, ka drejtuar kritika për…