Kosova ende nuk e ka bërë të obligueshëm detyrimin ushtarak

13 shtator 2024 | 08:29

Shumë vende në Ballkanin Perëndimor e kanë rikthyer shërbimin e detyrueshëm ushtarak për shkak të zhvillimeve të fundit në Ukrainë, por edhe të situatës kërcënuese në botë. Ndërkohë Kosova, akoma nuk e ka bërë të detyrueshëm, edhe pse në vitin 2021, kryeministri Albin Kurti e kishte ngritur si çështje se do të bëhej i obligueshëm. Por në Programin Kombëtar për Mbrojtje Gjithëpërfshirëse nuk është përfshirë kjo çështje.

Ideja e shërbimit ushtarak të detyrueshëm në një kohë kur bota po përballet me kërcënime të shumta për luftë, është njëra nga temat që ka qenë në qendër të diskutimeve në vitet e fundit.

Kjo ide është riaktualizuar pas agresionit rus mbi Ukrainën.

Madje në kuadër të kësaj, Kroacia që nga janari i vitit të ardhshëm e ka bërë të detyrueshëm shërbimin ushtarak, i cili do të zgjasë dy muaj, raporton RTKlive.

Edhe Serbia, që llogaritet si vendi më kërcënues për shtetet e Ballkanit Perëndimor, në janar të këtij viti e propozoi pas 14 vitesh, rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak.

Duke i parë kërcënimet dhe agresionin e shtetit serb mbi Kosovën, kjo ide ishte aktualizuar edhe në Republikën e vendit tonë. Më 2021, kryeministri Albin Kurti e kishte ngritur si të obligueshëm shërbimin ushtarak.

Megjithatë, realizimi i një ideje të tillë nga ish-ushtarakë në Kosovë shihet i pamundur.

Ish-ministri i FSK-së, Agim Çeku, tregon disa prej arsyeve pse kjo nuk mund të ndodhë.

“Ne tani kemi liberalizim të vizave dhe shumë qytetarë mund të ikin prej shërbimit, e dyta është që ligji do të vlen për gjithë qytetarët e Kosovës edhe shumë prej tyre kanë dy shtetësi që jetojnë jashtë, diaspora jonë , prestarët e komunitet serb tani për tani nuk do të kishin shkua me vullnet, atëherë forca e ligjit do t’i kapte gjithë”, tha Çeku.

Duke e parë të pamundur funksionalizimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak, Kadri Kastrati, ish gjenerali i FSK-së, thotë se shteti duhet të fokusohet në forcimin e kapaciteteve aktuale të ushtrisë.

“Qeveria duhet të mendoj seriozisht që këta që janë prezent t’i mbajë të motivuar në ushtri që mos t’i lë ta braktisin ushtrinë e Kosovës”, tha Kastrati.

Një Program Kombëtar për Mbrojtje Gjithëpërfshirëse, i cili synon mbrojtjen e vendit nga kërcënimet, sulmet dhe fatkeqësitë natyrore, por që në të nuk përfshihet shërbimi i detyrueshëm ushtarak, është miratuar të mërkurën nga Qeveria e Kosovës. Sipas ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ky model tani për tani është më i përshtatshëm.

“Normalisht si në çdo vend të NATO-së është shqyrtuar, shtjelluar dhe analizuar sistem mbrojtëse të vendeve përkatëse edhe në vendin tonë është bërë një analizë dhe ka dal se Mbrojtja Gjithëpërfshirëse është modeli më i përshtatshëm që të ndërtojmë një sistem mbrojtës pa dëmtuar zhvillim e FSK-së në kuadër të planit gjithëpërfshirës të tranzicionit dhe pa u obliguar qytetarët që të jenë pjesë të këtij sistemi, gjithmonë duke ju dhënë mundësi që vullnetarisht si qytetarë edhe organizatat joqeveritare të jenë pjesë e sistemit mbrojtës së vendit tonë”, tha Maqedonci.

Nga 31 vende anëtare të NATO-s, vetëm 9 prej tyre a kanë shërbimin ushtarak të detyrueshëm.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-kryenegociatori i Kosovës në bisedimet me Serbinë, Avni Arifi, ka…