Harris zgjeron avantazhin përballë Trumpit

13 shtator 2024 | 10:49

Sipas një anketimi të ri të opinionit publik, nënpresidentja demokrate Kamala Harris kryeson me 47% mbështetje përkundër ish-presidentit republikan Donald Trump me 42%, duke zgjeruar kështu më tej avantazhin e saj pas debatit televiziv ku votuesit mendojnë se Harris pati paraqitjen më të mirë.

Anketimi i bërë nga agjencia e lajmeve Reuters dhe firma e anketimeve Ipsos u publikua të enjten.

Anketimi dyditor tregon se Harris është në një avantazh prej 5% ndër votuesit e regjistruar për të marrë pjesë në zgjedhjet e këtij viti, duke zgjeruar kështu më tej avantazhin e saj prej 4% përballë Trumpit sipas anketimit të mëparshëm që pati bërë agjencia Reuters dhe firma Ipsos në periudhën 21-28 gusht.

Ndër votuesit që thanë se patën dëgjuar të paktën diçka rreth debatit të së martës, Harris mori 53% mbështetje, ndërsa 24% prej tyre thanë se debatin e kishte fituar Trump. Rreth 52% e të anketuarve thanë se Trumpi hasi në vështirësi dhe se nuk u shfaq në formën më të mirë, ndërsa 21% prej tyre thanë të njëjtën gjë për Harrisin, raporton VOA.

Nënpresidentja Harris, 59 vjeçe, e vendosi ish-Presidentin Trump, 78 vjeç, në pozita mbrojtëse gjatë një debati të nxehtë presidencial, me një seri sulmesh ndaj përshtatshmërisë së tij për detyrën e presidentit dhe sfidat e tij të shumta ligjore.

Anketimi përfshiu 1,690 amerikanë të moshës madhore në mbarë vendin, ndër ta 1,405 të regjistruar për të votuar këtë vit. Mundësia e gabimit të këtij anketimi është në nivelin rreth 3% ndër votuesit e regjistruar.

Megjithëse anketimet në nivel kombëtar, përfshirë anketimin e bërë nga agjencia Reuters dhe firma Ipsos, japin sinjale të rëndësishme për pikëpamjet e elektoratit, janë rezultatet shtet mbas shteti që certifikohen në Kolegjin Elektoral ato që përcaktojnë fituesin dhe pritet që rezultati përfundimtar të vendoset nga një numër i vogël shtetesh jetike për betejën elektorale.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Policia është deklaruar lidhur me valixhen e lënë në oborrin…