Tradhtia ndaj “El Mayo” sjell luftë në Sinaloa të Meksikës, mbyllen shkollat, kufoma në rrugë

13 shtator 2024 | 23:15

Festimet për Ditën e Pavarësisë u shtynë teksa dhjetëra shkolla u mbyllën për shkak të dhunës ekstreme që ka shpërthyer në rrugët e Sinaloas në Meksikë mes fraksioneve të kartelit më të madh të drogës në këtë shtet, që tashmë duket i përçarë në dy pjesë.

Të paktën 12 trupa të pajetë janë gjetur në rrugët e qytetit kryesor ndërkohë që qindra ushtarë janë dislokuar në rrugë për të ruajtur sigurinë.

Tensionet në kartelin Sinaloa kanë arritur kulmin pas arrestimit të liderit të fraksionit të Los Mayos, Ismael “El Mayo” Zambada.

Bosi dhe bashkëthemeluesi i Kartelit të Sinaloas, Ismael “El Mayo” Zambada u arrestua nga autoritetet amerikane në El Paso, Teksas, bashkë me djalin e madh të ortakut të tij, Joaquin “El Chapo” Guzman.

Arrestimi i bujshëm u njoftua nga autoritetet amerikane, duke shënuar një kapitull të ri në luftën kundër grupeve të organizuara kriminale që trafikojnë lëndë narkotike në Shtetet e Bashkuara.

Por mediat amerikane raportojnë se arrestimi i “El Mayo”-s erdhi pas bashkëpunimit të djalit të “El Chapo”-s, Guzman Lopez, me autoritetet amerikane.

Sipas “New York Times” dhe “Wall Street Journal”, Zambada u mashtrua pikërisht nga Guzman për të hipur në një avion privat, për të parë disa pista në Meksikë, nga ku do të niseshin avionët e mbushur me drogë, drejt Shteteve të Bashkuara. Por në fakt avioni përfundoi në El Paso, ku e prisnin agjentët e Sigurisë Kombëtare dhe të FBI-së.

Gjithashtu, “Fox News” raportoi se djali i “El Chapo”-s tradhtoi ortakun dhe mikun e vjetër të babait të tij, pasi mendonte se “El Mayo” ishte përgjegjës për arrestimin e babait të tij.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një person ka humbur jetën në vendin e tij të…