Rikthimi i shërbimit ushtarak në Serbi, reagon Ardita Sinani: Të rinjtë shqiptarë do të detyrohen të shpërngulen sapo t’i mbushin 18 vjet

14 shtator 2024 | 18:58

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më herët njoftoi se ka nënshkruar marrëveshjen për shërbimin e rregullt ushtarak për 75 ditë dhe tha se do që të besojë se Qeveria e Serbisë do ta miratojë këtë vendim.

Për këtë ka reaguar kryetarja e komunës së Preshevës, Ardita Sinani, e cila tha se shërbimi ushtarak i detyrueshëm në Serbi rrezikon paqen dhe sigurinë në rajon.

Ajo e potencoi se kjo mund të çojë sërish në shpërngulje masive të të rinjve shqiptarë nga Lugina e Preshevës meqë sapo të mbushin 18 vjeç detyrohen të largohen “për të mos shërbyer në një ushtri që nuk i përfaqëson ata” dhe në një shtet që vazhdimisht i diskriminon.

“Kanë kaluar pothuajse 30 vite që nga shpërbërja e Jugosllavisë, por shqiptarët e Luginës së Preshevës ende mbeten të cenueshëm nga politikat diskriminuese të Beogradit. Në vitet e 90-ta, kur regjimi i Millosheviqit synonte shtypjen dhe përndjekjen e shqiptarëve, të rinjtë tanë u detyruan të largoheshin masivisht për t’i shpëtuar shërbimit ushtarak dhe represionit. Sot, historia rrezikon të përsëritet! Rikthimi i shërbimit ushtarak të detyrueshëm do të çojë sërish në shpërngulje masive të të rinjve shqiptarë nga Lugina e Preshevës. Djemtë tanë, sapo mbushin 18 vjeç, detyrohen të largohen për të mos shërbyer në një ushtri që nuk i përfaqëson ata, në një shtet që vazhdimisht i diskriminon”, ka shkruar Sinani.

Ajo tha se Serbia nuk përballet me ndonjë kërcënim nga fqinjët e saj, por është e kundërta – kërcënimi i paqes së rajonit vjen nga Serbia.

“Përkundrazi, ngjarjet e fundit të 24 shtatorit në Banjskë na treguan se, ndërsa flitet për paqe në Bruksel, Serbia planifikon destabilizimin dhe aneksimin e veriut të Kosovës. Kërcënimi i vërtetë për paqen dhe stabilitetin e rajonit vjen pikërisht nga vetë Serbia! Rajoni ynë ka nevojë për paqe, zhvillim dhe të ardhme të sigurt për të rinjtë tanë. Por, për fat të keq, Serbia e Vuçiqit vazhdon të tregojë se nuk ka asnjë vullnet për normalizim dhe stabilitet. Shqiptarët e Luginës së Preshevës duan paqe, jo tensione! Rajoni ka nevojë për progres, jo për konflikte të reja!”, tha ajo.

Vuçiq këtë e bëri të ditur më 14 shtator gjatë ceremonisë së gradimit të oficerëve të rinj të Forcave të Armatosura të Serbisë.

Ndërkaq, një ditë më parë kryeministri serb, Millosh Vuçeviq, tha se Qeveria serbe është gati, nëse arrihet një marrëveshje politike dhe shoqërore, për të dërguar shpejt në Kuvendin serb projektligjin për kthimin e shërbimit ushtarak.

“Më 2025, kur të arrihet kushtet administrative dhe logjistike, ne do të nisim [me shërbimin ushtarak]”, tha ai.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, ka reaguar ashpër…