BDI: Qeveria e RMV e ndërpreu procedurën për përdorimin e gjuhës shqipe në tabelat rrugore, diskriminim i qartë

15 shtator 2024 | 16:04

Bashkimi Demokratik për Integrim, partia më e madhe e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, ka alarmuar se një ndërmarrje publike që kujdeset për rrugët e shtetit i ka ndërprerë procedurat për ndërrimin e shenjave të komunikacionit për ta resepektuar ligjin për përdorimin e gjuhës shqipe.

BDI-ja, përmes një komunikate, e konsideron këtë “skandal” dhe “akt të qartë diskriminimi ndaj shqiptarëve”.

“Skandalet me gjuhën shqipe nuk kanë të ndalur. Ndërmarrja publike për rrugët e shtetit ka ndërprerë procedurat për projektin e udhëheqjes së kaluar, që kishte për qëllim ndryshimin e të gjitha shenjave të komunikacionit në autostrada, në përputhje me ligjin për përdorimin e gjuhës shqipe. Ky është një hap i paprecedent dhe i dëmshëm për zbatimin e ligjit që garanton barazinë gjuhësore. Pavarësisht faktit që procesi i përzgjedhjes së kompanisë për realizimin e projektit ishte përfunduar, udhëheqësia aktuale ka vendosur të ndërpresë procedurën”, thuhet në komunikatën e kësaj partie.

BDI-ja, tash në opozitë, thotë se “kjo ndërprerje mund të verifikohet lehtësisht në sistemin elektronik të prokurimeve publike” dhe se ajo ngre “pikëpyetje serioze mbi qëndrimin e kësaj qeverie ndaj zbatimit të ligjit”.

“Bashkimi Demokratik për Integrim alarmon se këto dështime vijnë si rezultat i mungesës së legjitimitetit zgjedhor të kësaj qeverie, paaftësisë së qartë të saj për të menaxhuar procese kyçe dhe varësisë së saj nga ndikimet politike të VMRO-së”, thotë BDI-ja, duke iu referuar koalicionit të partive shqiptare, VLEN, që është pjesë e koalicionit qeverisës në Maqedoninë e Veriut.

“Këto veprime janë të papranueshme dhe dëmtojnë rëndë procesin e barazisë institucionale në vend. Në vend që të përballen me përgjegjësitë e tyre, humbësit e zgjedhjeve po përpiqen t’i mbulojnë këto dështime masive me sulme politike të pabaza dhe përndjekje të panevojshme”, thuhet në komunikatë.

Së fundmi u raportua se Maqedonia e Veriut e ka hequr gjuhën shqipe në tabelat e sinjalistikës rrugore. U publikua fotografia e një tabele në afërsi të vendkalimit kufitar me Kosovën në Bllacë, ku shiheshin vetëm tri mbishkrime: në gjuhën maqedonase, në anglisht dhe në frengjisht, por jo në shqip. Megjithatë, pak më vonë u kthye tabela e vjetër, që mban emrin e shtetit të shkuar edhe në shqip.

“Ndërprerja e dhunshme dhe joinstitucionale e tabelave në kufi me Kosovën dhe rikthimi i tabelave të vjetra është një tjetër tregues i paaftësisë së kësaj qeverie për të zbatuar standardet institucionale dhe ligjore”, thuhet në reagimin e BDI-së.

Pas më shumë se 100 ditë qeverisjeje, sipas BDI-së, “kjo udhëheqësi monoetnike ende përpiqet t’ia hedhë fajin të tjerëve për dështimet e saj të vazhdueshme”.

“Këto veprime jo vetëm që minojnë institucionet e shtetit, por përbëjnë edhe një akt të qartë diskriminimi ndaj shqiptarëve”, thuhet në komunikatë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj ka potencuar se premtimi i…