Sulmet e Vetëvendosjes ndaj Ramushit nxisin reagime: Ja çfarë thotë analisti i njohur

15 shtator 2024 | 18:09

Avni Arifi, ish-ambasador i Republikës së Kosovës, ka ngritur shqetësime serioze lidhur me sulmet e vazhduara të eksponentëve të LVV ndaj ish kryeministrit Ramush Haradinajt. Në një postim të gjatë në rrjetin social Facebook, Arifi analizon motivet prapa këtyre sulmeve dhe paralajmëron për pasojat e mundshme në shoqërinë kosovare.

Sipas Arifit, VV po e shfrytëzon çështjen e veriut të Kosovës dhe patriotizmin si tema kryesore për fushatën e zgjedhjeve të 2025-ës. “Lëvizja Vetëvendosje duket se ka vendosur që patriotizmi dhe veriu të jenë temat kryesore me të cilat synon të fitojë zgjedhjet e vitit 2025,” shkruan ai, duke shtuar se një pjesë e konsiderueshme e popullsisë e sheh situatën aktuale në veri si një sukses të përhershëm.

Analisti ngre pyetjen: “Pse po sulmohet Ramush Haradinaj pikërisht në këtë fazë?” Duke vënë në dukje se çdo ditë, deputetë dhe ideologë të VV-së po sulmojnë Haradinajn, të shoqëruar me fyerje masive nga strukturat e partisë. Arifi argumenton se Haradinaj zotëron përvojë të çmuar në çështjen e veriut, diçka që VV-ja nuk e ka në asnjë nivel, dhe kjo e pengon partinë në pushtet.

Arifi nënvizon kontributin e jashtëzakonshëm të familjes Haradinaj në luftën për liri të Kosovës. Ai përmend sakrificën e shumë anëtarëve të familjes, duke filluar nga gjyshet e Ramushit, nëna Zizë dhe nëna Azë, të cilat u masakruan pasi ofruan rezistencë në Jabllanicë. “Ramushi u plagos tri herë” shpjegon Arifi, duke shtuar se vëllezërit e tij, Shkelzeni dhe Luani, u vranë në vijën e parë të frontit, ndërsa Dauti u plagos tri herë, dhe të plagosur ishin edhe babai Hilmiu dhe vëllai Enveri.

Ish-ambasadori thekson rolin e Ramush Haradinajt në parandalimin e skenarit të ndarjes së Mitrovicës në Pejë, gjë që i kushtoi atij dy aktakuza në Hagë. “Ramushi i mundi të dy aktakuzat dhe 40,000 faqet e dëshmive të shtetit serb, si dhe plot kolaboracionistë,” shkruan Arifi.

Duke u shprehur i shqetësuar për sulmet ndaj Haradinajt, Arifi i quan ato “mjerim për një popull”. Ai kritikon ashpër personazhe të caktuar që, sipas tij, po sulmojnë Haradinajn pa pasur vetë ndonjë kontribut për kombin. “A ka më mjerim për një popull që duron njerëz si Basha, Gola, e Ferraj – ky mercenar nga Tirana që vajton pse s’u vra Ramushi – e shumë deputetë diletantë të jetës dhe ndjenjës për Atdheun?” pyet ai retorikisht.

Arifi përfundon duke theksuar rëndësinë e respektimit të sakrificës së atyre që kanë luftuar për liri. “Gjaku nuk është ujë, por është i shenjtë. Shenjtërinë e gjakut të derdhur për komb kurrë s’mund ta njollosin bandat e kuqe të VV-së e as askush tjetër,” shkruan ai, duke bërë thirrje për një qasje më të matur dhe respektuese ndaj figurave historike të Kosovës, që vazhdojnë të japin kontributin e tyre për vendin.

Postimi i plotë:
Pse po e sulmon çdo ditë VV-ja Ramush Haradinajn?

Lëvizja Vetëvendosje duket se ka vendosur që patriotizmi dhe veriu të jenë temat kryesore me të cilat synon të fitojë zgjedhjet e vitit 2025. Nuk kanë faj, sepse një pjesë jo e vogël e popullsisë së Kosovës e sheh veriun si sukses, duke qenë të bindur se kjo situatë në terren është përfundimtare dhe e përhershme. Kjo është për t’u menduar, por në të gjitha temat e tjera, gjithsecili pajtohet se VV-ja as për propagandë nuk ka çfarë të thotë.

Por pse po sulmohet Ramush Haradinaj pikërisht në këtë fazë? Cila është arsyeja që çdo ditë, dy eksponentë të saj (deputetë e ideologë) po e sulmojnë Ramush Haradinajn, të shoqëruar me fyerje masive nga strukturat e VV-së? Haradinaj, me përvojën që ka në këtë temë, zotëron diçka që VV-ja nuk e ka në asnjë nivel, dhe kjo e pengon VV-në, veçanërisht kur shumica e kabinetit të Kurtit, përveç që as familjarisht e as personalisht nuk kanë ndonjë kontribut kombëtar, shumë prej tyre kanë qenë pjesë e sistemit serb. Çfarë e mundon Albinin dhe Lëvizjen Vetëvendosje?

Ramushi është stërnip i nënës Zizë dhe nip i nënës Azë, të dyja të masakruara pasi ofruan rezistencë në Jabllanicë. Ai është gjithashtu nip i Brahimajve të Jabllanicës, të gjithë luftëtarë themelues të UÇK-së.

Ramushi është vëllai i Shkelzenit, Luanit, Dautit e Enverit, të cilët gjatë gjithë luftës u prinin ushtarëve jo nga qendrat komanduese, por nga vijat e para të frontit. Ai është i afërm i heroit Himë Haradinaj, si dhe nip i Smajl Haradinajt, ideologut kryesor të asaj zone për liri e bashkim kombëtar, njeriut që kaloi mbi 20 vjet në burgjet e Jugosllavisë dhe vdiq herët nga pasojat e burgjeve të rënda, ashtu siç vdiq edhe i biri i tij, Agroni, para dy vitesh.

Shkelzeni dhe Luani u vranë në vijën e parë të frontit. Ramushi u plagos tri herë gjatë luftës, Dauti po ashtu tri herë, dhe të plagosur ishin edhe babai Hilmiu, Enveri disa herë, ndërsa Bujari ishte i plagosur rëndë. Pjesë e përpjekjeve për liri, me armë në dorë, ishte edhe motra e tij, Mejremja, që nga 24 marsi 1998.

Ramushi është “fajtori” që skenari i Mitrovicës nuk pati sukses në Pejë, dhe kjo i kushtoi atij dy aktakuza në Hagë. Ramushi i mundi të dy aktakuzat dhe 40,000 faqet e dëshmive të shtetit serb, si dhe plot kolaboracionistë.

Shumë gjak e sakrificë për kombin nga vetëm një familje shqiptare e Kosovës, çfarë e ka bërë që t’i përulet çdo ushtarak i ushtrisë amerikane që ka lexuar dosjen e tyre. Nuk ka rëndësi nëse sakrificën e tyre nuk e vlerësojnë oportunistët e VV-së, që për kombin nuk e kanë as edhe një gërvishtje.

Por a ka më mjerim për një popull që duron njerëz si Basha, Gola, e Ferraj- ky mercenar nga Tirana që vajton pse s’u vra Ramushi – e shumë deputetë diletantë të jetës dhe ndjenjës për Atdheun?

Gjaku nuk është ujë, por është i shenjtë. Shenjtërinë e gjakut të derdhur për komb kurrë s’mund ta njollosin bandat e kuqe të VV-së e as askush tjetër.

Linku: https://www.facebook.com/share/u4LmgP68enBQ31xS/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj,…