Konjufca lavdëron prokurorinë për aktakuzën në rastin e Banjskës
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka lavdëruar Prokurorinë Speciale, për rastin e Banjskës.
Konjufca ka thënë se prokuroria ka goditur në shenjë.
“Në kuptimin profesional s’më lejohet të flasë se s’jam i fushës dhe se përfaqësojë gjyqësinë, por Parlamentin e Kosovës, por nga kuptimi politik është aktakuzë që mendoj se për nga definicioni i çështjeve që i ka ngritur ka goditur në shenjë. Synimi i grupit terrorist ka qenë aneksimi i një pjese të Kosovës, me këtë pretendim ka pas edhe njerëz që kanë bërë shaka, por kjo s’është shaka është e vërtetë”, ka thënë Konjufca.
Tutje, ai ka folur për segmente të caktuara të aktakuzës duke i veçuar tri.
“Grupi terrorist ka pas mbështetje të plotë të Serbisë. Pra e para aneksimi, e dyta qëndrimi prapa i Serbisë dhe e treta është tentimi për të shkatërruar rendin kushtetues. Aty ishte shumë mirë e argumentuar aspekti i kriminalitetit shumë të madh financiar që ka bërë ky grup terrorist duke shpërndarë para dhe duke vendosur këto para e keqpërdorime të tenderëve për funksionalizimin e këtij grupi terrorist”.
“Mendoj se tash çka nevojitet është të mos kemi atë ngadalësimin që e pamë në përpilimin e aktakuzës, të mos e kemi edhe në zhvillimin e procedurave gjyqësore duke qenë se të pandehurit posedonin dokumente të shëndetësisë së Kosovës”, ka shtuar Konjufca.