Haradinaj: Kosova e përkushtuar për bashkëpunim bilateral me Hungarinë

03 tetor 2018 | 16:13

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur sot në takim ambasadorin e Republikës së Hungarisë në Kosovë, Laszlo Markusz.

Me këtë rast, kryeministri Haradinaj ka falënderuar qeverinë e Hungarisë për mbështetjen e vazhdueshme që po i jep Kosovës në të gjitha fazat e shtetndërtimit, veçmas tani në rrugën e integrimit evropian, investimet direkte në vend dhe mbështetjen në fushën e arsimit.

Haradinaj e ka informuar ambasadorin hungarez për angazhimin e Qeverisë dhe të institucioneve të Kosovës në fuqizimin e sundimit të rendit dhe të ligjit në Kosovë, avancimin në procesin e zbatimit të Agjendës së Reformave Evropiane dhe zhvillimin ekonomik, duke kërkuar intensifikimin e bashkëpunimit në fushën e arsimit dhe këmbimet tregtare.

Ndërkohë ambasadori i Hungarisë në Kosovë, Laszlo Markusz, ka vlerësuar përkushtimin e kryeministrit Haradinaj dhe të Qeverisë së Kosovës në forcimin e sundimit të rendit dhe të ligjit dhe avancimin e Agjendës së Reformave Evropiane, duke premtuar mbështetjen e Hungarisë në këto procese të rëndësishme për Kosovën.

Po në këtë takim është biseduar edhe për vazhdimin e bashkëpunimit mes dyja vendeve dhe inicimin e projekteve të tjera bilaterale.

/Epoka e re/ 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në prag të fillimit të takimit të ministrave të mbrojtjes…