Opozita kërkon vota nga partitë në pushtet për ta rrëzuar qeverinë

03 tetor 2018 | 19:14

Partitë opozitare në Kosovë, tash e disa muaj, në vazhdimësi kanë theksuar se qeveria aktuale e vendit është qeveri e pakicës dhe si e tillë nuk po mund t’i kryejë obligimet e veta, për të cilat ka marrë përgjegjësinë. Por, për një mocion mosbesimi të suksesshëm ndaj qeverisë, as partitë opozitare nuk kanë arritur t’i sigurojnë 61 votat e domosdoshme.

Megjithatë, partitë opozitare thonë se u nevojiten edhe 3 vota për një mocion mosbesimi ndaj qeverisë dhe kanë paralajmëruar se do të përpiqen që ato t’i sigurojnë nga deputetët e partive brenda koalicionit qeverisës.

Ditë më parë, liderët e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje, Isa Mustafa dhe Albin Kurti, janë takuar dhe kanë shprehur gatishmërinë e intensifikimit dhe koordinimit të bashkëpunimit opozitar.

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, thotë për “Radion Evropa e Lirë” se në situatën e tanishme, zgjidhja e vetme është të vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare.

“Si parti opozitare, e kemi intensifikuar bashkëpunimin edhe me subjektet tjera, në mënyrë që sa më parë të krijojmë një mundësi që të kemi një dorëheqje të qeverisë dhe të shkojmë në zgjedhje të reja. Duke ditur që nevojiten edhe disa vota nga ndonjë prej subjekteve që janë në koalicion qeverisës, angazhimi jonë është që t’i gjejmë edhe tri vota që na nevojiten për ta rrëzuar qeverinë. Por, në anën tjetër, tashmë ka çarje edhe në mes vetë koalicionit qeverisës dhe duket që gjasat për zgjedhje janë shumë të mëdha”, ka thënë Nagavci.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-diplomati suedez Carl Bildt, i cili gjatë viteve 1990 merrej…