Juncker: Ballkani, drejt një lufte të re pa perspektivën e anëtarësimit

06 tetor 2018 | 08:55

Shefi i Komisionit të Bashkimit Europian, Jean-Claude Juncker, ka paralajmëruar një ditë më parë mbi mundësinë e një lufte të re në Ballkan, nëse Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Serbia, Mali i Zi dhe Bosnja nuk ndiejnë se BE-ja është serioze në ofrimin e perspektivës për anëtarësim ndaj tyre.

“Nëse në peizazhin tejet të komplikuar të Europës krijohet përshtypja se ne nuk jemi seriozë në ofrimin e perspektivës së anëtarësimit në BE për vendet e Ballkanit Perëndimor, atëherë mund të shohim më vonë, e ndoshta edhe më shpejt nga sa parashikohet, atë që kemi parë të ndodhë në Ballkan në vitet ’90”, ka deklaruar Juncker gjatë një fjalimi të mbajtur në Parlamentin austriak.

Gjashtë shtetet e Ballkanit, të cilat gjatë viteve ’90 krijuan fushëbetejën e konflikteve më të përgjakshme të Europës që prej Luftës së Dytë Botërore, që çoi deri në shpërbërjen e ish-Jugosllavisë, tashmë gjenden në faza të ndryshme të bisedimeve të anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Ndërsa negociatat për anëtarësim kanë nisur zyrtarisht me Serbinë dhe Malin e Zi, Shqipëria dhe Maqedonia janë ende në pritje të çeljes së tyre dhe klasifikohen si “vende kandidate”. Bosnja dhe Kosova, nga ana tjetër, janë listuar për momentin si “kandidatë potencialë”.

Juncker e kishte përmendur edhe dhjetorin e vitit të kaluar faktin se, zgjerimi me vendet e Ballkanit ishte jetik për ruajtjen e qëndrueshmërisë në rajon, ndaj shprehej se priste që Serbia dhe Mali i Zi t’i bashkoheshin bllokut deri në vitin 2025. Sidoqoftë, rruga e tyre drejt anëtarësimit të plotë në BE ishte “ende shumë e gjatë”, do të kujdesej të theksonte Juncker.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sipas Institutit Hiderometeorologjik të Kosovës gjatë ditëve të vikendit do…